Ambasadori gjerman në Kosovë flet për BBC-në, shpreh zhgënjim për mos-mbajtjen e zgjedhjeve serbe

26.03.2022 17:21

Ambasadori gjerman në Kosovë flet për BBC-në, shpreh zhgënjim për mos-mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Mediumi britanik BBC, edicioni serb, ka realizuar një artikull lidhur me çështjen e mosmbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe ka parashtruar pyetjen se kujt po i konvenon e kujt jo mosmbajtja e këtyre zgjedhjeve përbrenda territorit të Kosovës.

“Kjo është një ngjarje historike nga këndvështrimi i faktit se për herë të parë nuk po mbahen zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës. Por a e perceptojnë njerëzit kështu – unë nuk mendoj fare kështu”, citohet të ketë thënë Jovana Radosavljevic nga Mitrovica, drejtoreshë e Iniciativës së Re Sociale.

Ky ndryshim, siç raporton mediumi britanik me bazë në Beograd, është rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar zgjedhjet serbe në Kosovë, pasi siç ka shpjeguar kryeministri Albin Kurti, Prishtina zyrtare nuk është kënaqur me faktin se Serbia nuk ka dashur t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Kosovës.

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të afruar të dyja palët gjithashtu kanë dështuar, raportohet më tej.

“Edhe gjatë zgjedhjeve të dyta për postin e kryeministrit të Kosovës, pak më shumë se një vit më parë, Albin Kurti e vendosi qartë çështjen e dialogut me Serbinë poshtë në listën e prioriteteve”, shkruhet në artikull.

“Ishte e pritshme sepse qeveria e Kurtit që nga fillimi ka qenë kundër dialogut dhe gjithçkaje që ai sjell. Është parë në shembullin e referendumit dhe interpretimi është i njëjtë – do të shkatërrohej sovraniteti i Kosovës në atë mënyrë”, citohet të ketë thënë njohësi i çështjeve politike, Ardian Arifaj.

Një nga nënshkruesit e deklaratës së QUINT-it, ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, në një deklaratë me shkrim për BBC në edicionin serb ka thënë se është vendimtare që të bëhen përpjekje në bashkëpunimin rajonal dhe gjetjen e zgjidhjeve për njerëzit në rajon.

“Zgjidhjet për qëndrime të ndryshme kërkojnë gjithmonë kompromise. Në atë kontekst, ne si shtete të QUINT-it e kemi shprehur qartë pakënaqësinë tonë sepse Kosova deri më tani nuk është pajtuar në gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike që do t’u mundësonte atyre që kanë të drejtën e votës në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhjet serbe”, ka deklaruar ai për mediumin.

“Në thelbin e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kombinohen me dëshirën dhe kapacitetin për të arritur një kompromis, miqësi dhe solidaritet mes shteteve anëtare”, ka thënë ai.

“Këto vizione duhet të miratohen nga të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE në rajon”, përfundon Rohde. 

x