Ambasadori i Kosovës në Kroaci: Janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani

25.07.2021 12:42

Ambasadori i Kosovës në Kroaci: Janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka mbërritur në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po trajtohen mbi 40 persona të cilët u lënduan si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi në Kroaci e ku vdiqën 10 persona.

Me të arritur në spital, ambasadori Kasapolli ka ngushëlluar familjarët e viktimave duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar janë “njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”.

“Fatkeqësisht kemi ardhur për shkak të një aksidenti të tmerrshëm. Unë thjesht do të doja ta falënderoja Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe të gjithë autoritetet që na ndihmuan në këtë kohë. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe t’u kërkoj atyre që të kenë mirëkuptim edhe për ne. Ne të gjithë do të jemi pranë tyre në këto kohë të vështira”, tha Kasapolli.

Ambasadori Kasapolli deklaroi poashtu se autobusi ishte i një kompanie turistike nga Kosova, ndërsa foli me jo pak emocion për ata që vdiqën dhe të tjerët që mbetën të lënduar.

“Këta janë të gjitha njerëzit tanë që punojnë në Gjermani dhe që po vinin për pushime në Kosovë”, shtoi ai.

Pak më parë lidhur me ngjarjen tragjike është deklaruar edhe ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh.
“69 persona, 67 pasagjerë dhe dy shoferë janë përfshirë në aksident. 15 persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore ku në mesin e tyre edhe një vajzë e vogël. Kishte edhe 15 të mitur të tjerë në autobus përgjatë këtij udhëtimi”.

Kurse mjekja Maja Grba-Bujeviq deklaroi se tetë ekipe morën pjesë në ofrimin e ndihmës mjekësore për të lënduarit nga ky aksident.

“Në 6:23 morëm një telefonatë, në 6:26 shkuam në fushë”, tha Grba Bujeviq. Punëtorët e urgjencës ishin në vendin e përplasjes për pesë minuta, deklaroi ajo.

x