Arrestohet pejani që mbylli për tri ditë në shtëpi një grua me fëmijën e saj

22.03.2022 17:02

Arrestohet pejani që mbylli për tri ditë në shtëpi një grua me fëmijën e saj

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë i cili ka kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë” duke e mbajtur një femër së bashku me fëmijën e saj mbyllur pa dëshirën e saj në një shtëpi.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se viktimën së bashku më fëmijën e saj e kanë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.

Tutje, në komunikatë shtohet se personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në ndalim Policor prej 48-orësh.

Lexoni komunikatën e plotë:

Arrestohet një (1) person për veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”

Pejë, 22 mars 2022

Me datë 20.03.2022, rreth orës 16:00, Policia është informuar se në rrugën “ Agush Gjoci” në Pejë, një femër së bashku me fëmijën e saj është duke u mbajtur e mbyllur pa dëshirën e saj në një shtëpi.

Policia menjëherë iu është përgjigjur vendit të ngjarjes, nga aty kanë marrë viktimën së bashku me fëmijën, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.

Viktima deklaron se është mbajtur e mbyllur pa dëshirën e saj nga i dyshuari tri (3) ditë.

Njësiti i hetimeve pranë Stacionit Policor në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore, sot me datë 22.03.2022, ka arritur ta lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin: M.D. i lindur me 1966, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në ndalim Policor prej 48- orësh.

x