BE-ja paralajmëron vendet që rekomandojnë doza shtesë të vaksinës

26.08.2021 14:32

BE-ja paralajmëron vendet që rekomandojnë doza shtesë të vaksinës

Vendet e Bashkimit Evropian mund të përballen me pasoja ligjore për shkak të rekomandimeve për një dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit.

 
Kjo për faktin se një dozë përforcuese ende nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha Komisioni Evropian.

Agjencia ka thënë vazhdimisht se duhet të ketë më shumë të dhëna para se të miratojë përdorimin e një doze shtesë.

Deri më tani tetë vende evropiane kanë rekomanduar vaksinimin me një dozë shtesë dhe disa të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim.

“Dozat përforcuese aktualisht nuk janë pjesë e autorizimit të vaksinave për COVID-19 dhe ende nuk i janë nënshtruar një vlerësimi shkencor nga EMA në mungesë të të dhënave të mjaftueshme”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë për Reuters të enjten.

Komisioni Evropian tha se vendet anëtare mund të vendosin veç e veç për një rekomandim të tillë, mirëpo tërhoqi vërejtjen se ato mbajnë pastaj barrën e çdo pasoje ligjore dhe kërkesash për kompensim, në rast se dikush ka efekte anësore të papritura.

Komisioni gjithashtu tha se edhe kompanitë do të kenë përgjegjesi nëse dozat shtesë administrohen pa miratimin e EMA-s.

“Për shembull, nëse një efekt anësor pas një doze përforcuese shkaktohet nga problemet e prodhimit, prodhuesi i vaksinave do të mbetet përgjegjës për të”, tha Komisioni.

Disa vende të BE -së, përfshirë ato më të mëdhatë, kanë skema kompensimi që kanë për qëllim të dëmshpërblejnë viktimat e mundshme jashtë gjykatave, por kriteret për rimbursimet ndryshojnë shumë.

Në disa vende, pacientët që kanë ankesa do të duhet të shkojnë drejtpërdrejt në gjykata, për të zgjidhur çështjen e tyre.

Të dhënat zyrtare nga Danimarka, Gjermania, Norvegjia dhe Zvicra tregojnë se që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, qindra padi për kompensim janë paraqitur nga individët.

x