Buffon: Në fund të sezonit e mbyll me Juven, pres një eksperiencë stimuluese

11.05.2021 16:17

Buffon: Në fund të sezonit e mbyll me Juven, pres një eksperiencë stimuluese

Ndonëse me më shumë se 43 vite mbi supe, Gianluigi Buffon duket se nuk e ka vendosur ende kohën kur do të varë dorezat në gozhdë, megjithatë gardiani legjendar italian ka konfirmuar se ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm.

Portieri ka komunikuar se ka vendosur që të largohet përfundimisht nga Juventusi në fund të këtij sezoni, pas 19 sezonesh me fanellën bardhezi, ku ka fituar trofe të shumtë, por nuk ia doli të ngrejë dot lart Ligën e Kampionëve.

“E ardhmja ime është e qartë dhe e vendosur. Në fund të këtij sezoni e mbyll eksperiencën time të gjatë dhe të mrekullueshme me fanellën e Juventusit. Sa i përket të ardhmes, kam ende dilema. Nëse gjej një klub tjetër që më jep stimuj, do të vijoj akoma, por në të kundërt do të tërhiqem përfundimisht”, deklaroi portieri italian.

Gianluigi Buffon e nisi karrierën te parma, ku luajti 6 sezone, për t’u transferuar në verën e 2001-shit te Juventusi, ku qëndroi për 17 sezone. Në verën e 2018-ës gardiani italian u largua për një eksperiencë një vjeçare te Paris Saint Germain, ndërsa më pas u rikthye sërish në Torino për t’i shtuar edhe dy sezone eksperiencës së tij në portën bardhezi.

Gardiani që është shpallur edhe kampion bote me Italinë në verën e 2006-ës, numëron plot 693 ndeshje në Serinë A, duke vendosur një rekord që vështirë se do të thyhet nga futbollistë të tjerë në të ardhmen.

x