“Dardani” i Lazios: Do ta shihni Muriqin e vërtetë

13.07.2021 20:40

“Dardani” i Lazios: Do ta shihni Muriqin e vërtetë

Vedat Muriqi tregon “dhëmbët” ende pa nisur sezoni. Sulmuesi shqiptar i Lazios, i cili nuk la gjurmë në sezonin e tij të parë si bardhekaltër, ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm nga skuadra e kryeqytetit italian, duke premtuar tjetër performancë në vazhdim.

“Shpresoj të jem në gjendje të tregoj Muriqin e vërtetë në këtë kampionat.  Kisha dy sezone rresht që nuk zhvilloja fazë përgatitore, vitin e kaluar u infektova edhe me Koronavirus. Po punojmë mirë, gjithmonë do të ndihem më mirë dhe do të jem i gatshëm për Lazion”.

Në mikrofonat e Lazio Style Channel, shtatlarti dardan nuk ngurroi të fliste edhe për marrëdhënien që po krijon me trajnerin Maurizio Sarri.

“Trajneri flet me të gjithë, ne nuk kemi pasur biseda private, nuk mendoj se do të jetë e nevojshme, por në çdo rast do të jem i lumtur që mund të flas me të në privatësi. Ai është një person i sinqertë.”

Te Lazio Muriqi gjen Strakoshën dhe Hysajn, lojtarë me të cilët ka luajtur në përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë.

“Kam luajtur me Hysajn dhe Strakoshen kur ishim të gjithë te U-21 e Shqipërisë. Hysaj është një lojtar i shkëlqyeshëm, e njeh futbollin e Sarrit, është një anësor i shkëlqyeshëm. Moduli? Do të vendoset nga trajneri, do të na duhet pak kohë për t’u përshtatur me lojën e re, por ne kemi një nga trajnerët më të mirë në botë.”

x