Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

02.02.2021 16:33

Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ndaj Naser Pajazitajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Në këtë seancë, u dëgjuan në cilësi të dëshmitarëve Selim dhe Sylë Jusaj.

Në këtë fazë të procedurës, dëshmitari Selim Jusaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të tij të dhëna në prokurori, polici dhe në shqyrtimin gjyqësorë në Gjykatën e Pejës, ndërsa në pyetjen e prokurores Valbona Disha Haxhosaj se a kishte qenë i njëjti në varrimin e të ndjerit Shefqet Zeqaj, dhe se a e kishte parë aty të akuzuarin Naser Pajazitaj, dëshmitari tha se kishte qenë në atë varrim, por që të akuzuarin Naser Pajazitaj nuk e kishte parë as aty dhe as përgjatë rrugës tek po shkonte në varrim.

Tutje, në këtë shqyrtim gjyqësorë u dëgjua dhe dëshmitari Sylë Jusaj, i cili theksoi se mbetet pranë deklaratave të tij të dhëna në prokurori, polici dhe në shqyrtimin gjyqësorë në Gjykatën e Pejës, shtoi se poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e të ndjerit Shefqet Zeqaj, edhe pse kishte mbërritur në fund të ceremonisë së varrimit, shtoi se të akuzuarin Naser Pajazitaj nuk e kishte parë atë ditë në atë varrim.

I pyetur nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, “a e ke njohur tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj?”, dëshmitari tha se nuk e kishte njohur më parë Donjeta Pajazitajn, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë fazë të procedurës, prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, propozoi që për seancë të radhës të ftohet për t’u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit Haki Pajazitaj, ndërkaq avokati mbrojtës Gzim Kollqaku propozimin e tillë nuk e ka refuzuar, e më pas e ka aprovuar dhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi.

Seanca e radhës është caktuar më 01 mars 2021 ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 08.06.2017 nga prokurorja e shtetit Valbona Disha Haxhosaj, ai po dyshohet se më 09 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat, në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27.12.2015 është gjetë pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, më parë e gjerë më 09.11.2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që me revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i ulët Komuna e Decanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, në atë që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes gjejnë dhe sekuestrojnë armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.

x