Dëshmitari mohon deklaratën e dhënë në polici për Enver Sekiraqën, thotë se është maltretuar nga policia

19.01.2022 14:04

Dëshmitari mohon deklaratën e dhënë në polici për Enver Sekiraqën, thotë se është maltretuar nga policia

Dëshmitari Xhafer Bislimi ka thënë se e kanë rrahur policia kur kishte dhënë deklaratë për Enver Sekiraqën, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

Ky dëshmitar është ftuar në bazë të udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, e cila rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Dëshmitari Bislimi ka thënë se një javë pas vrasjes së Triumf Rizës, kishte dhënë deklaratë në polici, por sipas tij, një ditë para dhënies së kësaj deklarate ishte rrahur dhe maltretuar nga disa policë të maskuar.

Një ditë para se të intervistohej në polici, dëshmitari ka thënë se ka qenë në një lokal në lagjen “Bill Klinton” dhe se kur kishte dalë nga lokali në ora 20:00, kishin ardhë policia, e kishin marrë dhe e kishin dërguar në stacion policor.

“Pas një jave që ka ndodhur rasti, kam qenë në kafen “Te Meti”, në Bill Klinton, ora ka qenë afër 20:00-20:30, e kam marrë edhe një kojshi me vete, kur kam dalë kanë ardhë policia, na kanë dërguar në polici, na kanë rrah, vetëdijen na kanë humb”, tha ai.

Tutje, shtoi se pasi e kanë rrahur kishte hyrë një person me rroba civile dhe i kishte larguar të gjithë nga dhoma.

“Pasi më rrahën erdh një person me rroba civile të cilin nuk e njoh, i largoi të gjithë nga dhoma, më maltretuan me fjalë, ma ndalën rrahjen edhe më tha a ka mundësi nesër në 13:00 ora me ardhë në stacion policor me dhanë një deklaratë”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se ditën e nesërme kur kishte shkuar për të dhënë deklaratë, ishte intervistuar deri në pesë orë dhe se arsyeja që e kishin rrahuar ishte që i njëjti ka qenë në lokalin “Sekiraqa”, në ditën kur ishte vrarë Riza.

“Në ditën kur ka ndodhur rasti, unë kam qenë në bar “Sekiraqa”, kur më kanë vet policia se ku kam qenë ditën kur është vrarë Riza, i kam thënë në lokalin “Sekiraqa” dhe aty më kanë rrahur”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se ka shkuar për tu ankuar për rrahjen nga policia, por policia nuk e kishin lënë as të afrohej.

Ai ka thënë se me të akuzuarin Sekiraqa banojnë në një lagje, por ka mohuar se ka pasur shoqëri me të, ndërsa ka thënë se disa herë ka qenë në lokalin “Sekiraqa”, i cili gjendet tek “Bill Klinton”, në Prishtinë.

Tashmë të dënuarin për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berishën, dëshmitari ka thënë se e njeh pasi kishin vijuar mësimet në të njëjtën shkollë dhe se bashkë kishin luajtur edhe futboll, por ka thënë se nuk ka pasur shoqëri me të.

Ai ka thënë se ishte marrë me shitje të pemëve dhe perimeve, prandaj kishte shkuar në lokalin “Sekiraqa”, për t’i marrë disa të holla që vëllai i Enver Sekiraqës, Naser Sekiraqa ia kishte pasur borxh.

Ai ka mohuar të ketë parë Arben Berishën në lokalin e Enver Sekiraqës.

“Atë ditë në lokalin Sekiraqa nuk e kam parë Arben Berishën dhe asnjëherë nuk e kam pa atë në lokalin “Sekiraqa”, ka thënë dëshmitari, i cili theksoi se nuk e di se më kënd ishte shoqëruar Berisha.

Por, pasi i njëjti të kundërtën e kishte deklaruar në polici, prokurori special Haki Gecaj e pyeti se a është nënshkrimi i tij në këtë deklaratë, nënshkrim të cilin dëshmitari nuk e ka mohuar, por ka thënë se vetëm e kishte nënshkruar, pa e lexuar përmbajtjen e saj.

Prokurori e ballafaqoi me këtë deklaratë, në të cilën kishte deklaruar se ishte takuar me Arben Berishën në lokalin “Sekiraqa” dhe se sa herë kishte shkuar në këtë lokal e kishte parë Arben Berishën aty.

“Unë Arben Berishën atë ditë se kam pa”, është përgjigjur dëshmitari.

Avokatja Kosovare Kelmendi, e pyeti dëshmitarin se në çfarë kohe kishte dhënë deklaratë, pasi sipas saj, në njërën faqe të deklaratës thuhet se kishte filluar në ora 15:00, në faqen e dytë 14:30, ndërsa në të tretën në 16:00.

Dëshmitari u përgjigj se diku në ora 13:00 kishte shkuar për të dhënë deklaratë.

Ndryshe, në këtë seancë kanë munguar dëshmitaret Adelina Ismaili dhe dy motrat e saj Zanfina dhe Ema Ismaili, të cilat mungesën e tyre e kishin arsyetuar përmes përfaqësuesit të tyre, avokatit Alban Makolli, me arsyetimin se nuk gjenden në Kosovë dhe se nuk dihet se kur do të kthehen.

Në këtë mënyrë, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuqi, ka refuzuar propozimin e prokurorit për leximin e deklaratave të këtyre dëshmitareve dhe ka njoftuar se për sigurimin e të njëjtave gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje nga ana e policisë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 25 janar 2022.

x