Diplomacia e sotme dhe historia e hidhur

18.12.2020 22:58

Diplomacia e sotme dhe historia e hidhur

Pse Vjosa Osmani, gjatë vizitës, që i bëri Parlamentit të Shqipërisë, nuk kërkoi zbardhjen e vrasjeve makabër të heronjve të UÇK-së: Ilir (Halit) Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe kolonel Ahmet Krasniqi ( maj, shtator 1998), por e përmendi vetëm rastin historik të xhaxhait të saj, Sylejman Vuçitërna?

Vizita e Vjosa Osmanit  (kryetare e Kuvendit dhe U.D. së presidentit të Kosovës), që i bëri Shqipërisë , më 17 dhjetor 2020, na gëzoi të gjithëve. Mirëpo, fjala e rastit të saj, e lexuar para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, imponon këtë pyetje të pashmangshme: -Ishte  vizitë zrytare apo private?

Së pari, nëse ka qenë vizitë private, atëherë, është krejtësisht i pranueshëm rikujtimi-shpalimi i historikut traxhik për “xhaxhain Sylejman Vuçitërna, si dhe më pas, kërkesa e saj për të vizituar varrin e tij.

Së dyti, nëse ajo vizitë ka qenë zyrtare me axhendë protokolare (të harmonizuar mes dy shteteve), atëherë,  ajo temë private për “xhaxhain Sylejman Vuçitërna” nuk do të duhej  të lexohej para deputetëve  të Kuvedit të Shqipërisë, por t’i dorëzohej drejtpërdrejt Insititutit të Historisë , sepse ishte “temë historike”, jo temë aktuale e  politikës dhe e diplomacisë  së sotme shqiptare.

Ndryshe, nuk ishte momenti e as vendi, që të rikujtohej ajo temë e dhembshme dhe tragjike, sepse  jo vetëm që na bëri të gjithëve “të qajmë”, por, njëkohësisht  krioji përshtypjen e ngatërrimit të interesit të përgjithshëm zyrtar me atë të interesit privat personal.

Krahas kësaj teme për “Xhaxhain Sylejman Vuçitërna”, patjetër, do të duhej të kërkonte nga kryekuvendari Gramos Ruçi dhe nga deputet e tjerë të Parlamentit, që të zbardhej rasti i vrasjeve makabër të heronjve të UÇK-së: Ilir (Halit) Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe kolonel Ahmet Krasniqi (maj, shtator të vitit 1998).

 
Mirëpo, nëse tema “Xhaxhai Sylejman Vuçitërna” ka qenë e përfshirë në pikat shqyrtuese të axhendës së protokollit zyrtar mes dy palëve, atëherë, çdo diskutim është i panevosjhëm dhe absurd.

Sa më sipër, përditë flitet dhe shkruhet me pompë se “presidenti i Kosovës, duhet të jetë figurë unifikuese” dhe, rreptësisht të përfillë interesin e përgjithshëm të popullit dhe të shtetit (jo vetëm atë personal, partiak etj.), atëherë, pse Vjosa Osmani e përmendi vetëm xhaxhain e saj në Parlamentin e Shqipërisë, e jo, edhe kërkesën e domosdoshme për zbardhjen e vrasjeve politike të heronjve të UÇK-së: Ilir Konushefci, Dr. Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi (të vrarë në territorin e Shqipërisë), familjet e të cilëve qe 22 vjet po kërkojnë drejtësi nga  institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, por drejtësia ka dështuar, ashtu sikurse politika. Këtë padrejtësi, Vjosa do të duhej t’ua përkujtonte shtetarëve të Shqipërisë, ashtu siç ua përkujtoi për xhaxhain Sylejman Vuçitërna.

Prandaj, drejtësi, barazi, flijim për gjithë kombin, shtetin dhe atdheun, jo për asnjë parti dhe, për asnjë lider që e diskriminon, e shfrytëzon dhe e tradhton kombin dhe atdheun.

x