Dy “versionet” e Arben Ahmetit, përmes të cilave zgjedhet Vjosa Osmani presidente, dhe u iket zgjedhjeve të reja!

31.03.2021 14:24

Dy “versionet” e Arben Ahmetit, përmes të cilave zgjedhet Vjosa Osmani presidente, dhe u iket zgjedhjeve të reja!

Drejtori i Përgjithshëm i Kanal10, Arben Ahmeti e ka komentuar zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai në një deklaratë për Gazeta Blic tha se zgjedhja e Vjosa Osmanit në krye të shtetit varet nga minoritetet.

Megjithatë, shton ai që as Albin Kurti e as bashkësia ndërkombëtare nuk po i japin “zor” që të zgjedhet Osmani president.

“Aktualisht nëse do të kemi president apo javën tjetër varet ekskluzivisht nga minoritetet. Si rezultat i kësaj duhet angazhim i miqve ndërkombëtar në Kosovë”, tha ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, një version tjetër është që deputetët e pakënqaur të LDK-së të abstenojnë duke e bërë kuorumin.

Mirëpo, shton ai, për këtë të dytën duhet angazhim i madh nga Kurti dhe të tjerët.

“Edhe Kurtin e edhe bashkësinë ndërkombëtare nuk jam duke i parë të angazhohen seriozisht. Uroj që në ditët që kanë mbetur të shohim angazhim të tillë dhe të mos përsëriten zgjedhjet”, thotë ai.

Ndërkohë, dje LDK ka vendosur që të qëndroj  në seancë ditën kur zgjedhet presidenti i ri.

Megjithatë, janë tre deputetë nga kjo parti: Agim Veliu, Driton Selmanaj e Avdullah Hoti që nuk do të marrin pjesë, duke e vështiruësuar kështu zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Nga PDK pos Xhavit Halitit, që edhe publikisht tha se PDK duhet të qëndroj në sallë, nga kjo parti kanë marrë vendim mos të qëndrojnë në sallë kur zgjedhet Osmani, presdiente.

Haliti për GazetaBlic ka komentuar situatën momentale brenda kryesisë, duke thënë se Këshilli Drejtues i PDK-së ka vendosur që të mos qëndroj në sallë dhe të mos e votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, për çdo votim deputetët duhet të qëndrojnë në sallën e Parlamentit, e të votojnë, për, kundër, ose të abstenojnë. Ky vendim s’ është respektuar as zbatuar asnjëherë, sepse partitë e opozitës duke mos u sanksionuar për moszbatimin e këtij vendimi kanë bërë lojëra politike përmes të cilave, Kuvendi në mungesë të votave, ka mbetur pa miratuar me dhjetëra ligje, vendime e rezoluta”, thotë Haliti për GazetaBlic.

Ai thekson, se kushdo që fiton votat nga ai moment nuk është më personi që ishte, por është Presidenti/Presidentja e Kosovës.

“PDK, ka një vendim të Këshillit Drejtues. Që mos të votohet Vjosa Osmani dhe në momentin e votimit, Grupi Parlamentar, të mos qëndroj në sallën e Kuvendit. Kryesia e Grupi Parlamentar janë në diskutime permanente lidhur me situatën që po kalojmë”, deklaron ai.
Derisa, shton se ai personalisht mendon që ditën e zgjedhjes së Presidentit të gjithë 120 deputetët duhet të qëndrojnë në sallë.

“Personalisht mendoj që ditën kur zgjedhet Presidenti – Presidentja e Kosovës, të 120 deputetët duhet të jenë në sallë. Opozita duhet të ketë kandidatin e vet për President-Presidente dhe deputetët të votojnë secili sipas bindjes së vet. Kushdo që fiton votat nga ai moment nuk është më personi ose personja që ishte, por është Presidenti-Presidentja e Kosovës që në të vërtetë është Noteri dhe personi unifikues. Nëse përpiqet të dal nga këto koordinat ai ose ajo shkelë Kushtetuten dhe rregullat që është i e obliguar të zbatoj”, thotë Haliti.

x