E mbijetuara e dhunës seksuale: Më tha vajza "nanë të kom pa krejt çka të kanë ba"

28.11.2020 21:57

E mbijetuara e dhunës seksuale: Më tha vajza "nanë të kom pa krejt çka të kanë ba"

E mbijetuara tjetër e dhunës seksuale gjatë luftës, ka treguar në emisionin “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin në Kanal 10, rreth historisë së saj dhe torturave që kishte përjetuar nga serbët.

Ajo ka thënë se babai e kishte martuar të re, ndërsa ka pasur tre fëmijë.

“Burrin se kam parë 6 muaj, ndërsa më vonë kemi pasur tre fëmijë. Pas kësaj filloj lufta, u patëm mbyllur në një bodrum kur kanë hyrë shkijet. Ata na thonin nisuni diku tjetër se këtu s’ka vend për juve. Motrës i kanë hyrë në shtëpi ja kanë vrarë burrin dhe çikën, pastaj kanë dalë nga ana jonë dhe kanë nisur të zgjedhin femra. Na kanë ndarë 17 femra, e na kanë dërguar tek një shkollë ku ka pasur shumë gra të tjera. Na kanë rrahur, na kanë torturuar, na kanë shpuar në organe gjenitale, na kanë prerë me thikë. Pasi kemi qëndruar tri ditë e tri netë aty, na morrën e na hipën me një kamion. Thoshin që po na qojnë në Serbi se po i kërkon Arkani. Aty motra morri një shishe xhami e na i zgjidhi duart, mua e pastaj edhe kunatës dhe disa tjerëve. Kërcyem nga kamioni e pastaj një magjup me kerr e kali na ka marrë na ka dërguar në shtëpi se nuk i treguam çfarë ka ndodhur. Pasi shkuam në shtëpi vëllau thoshte nuk e pranon gruan, pastaj edhe burri im më tha nuk je më gruaja ime. Nëna thoshte hajr i qoftë, vëllaut i tha nuk ke çfarë i bën gruas as motrave. Edhe nëna ka qenë e dhunuar”, ka rrëfyer ajo.

Tutje, ajo ka thënë se pasi kishin provuar të largohen nga Kosova, kishin përjetuar dhunën përsëri.

“Pasi jemi nisur për tu larguar nga Kosova, në kolonë kemi hequr edhe më shumë. Jemi dhunuar edhe tri herë gjatë largimit. Ata kanë qenë paramilitar e të ngjyrosur në fytyra, janë thirrur në nofka, Peshku, Vuçnjaku, çfarë na ka bërë Vuçnjaku vetëm ne e dimë, Zoti ia ktheftë...Unë nuk kam dashur t’ju tregoj fëmijëve çfarë ka ndodhur, deri më ka thënë vajza ‘o mam kemi parë gjithçka çfarë ka ndodhur’. Prej atëherë e dinë por nuk ma përmendin asnjëherë”, ka thënë ajo. 

Emisioni “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin është prodhim i Portali.info

Për të parë emisionin e plotë klikoni KËTU.

x