Ende nuk dihet saktë efekti i terapisë me plazmë, por ndihmon pacientët me COVID-19

16.03.2021 16:14

Ende nuk dihet saktë efekti i terapisë me plazmë, por ndihmon pacientët me COVID-19

Ende nuk dihet nëse terapia me plazmë konvaleshente do të jetë një trajtim efektiv për COVID-19, por kjo terapi mund të ju ndihmojë pacientëve të shërohen nga sëmundja, COVID-19.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, Jeton Zenuni – transfuziolog specialist.

Zenuni sqaroi se ka të dhëna shkencore që sugjerojnë se plazma konvaleshente mund të zbusë ashpërsinë e sëmundjes ose të shkurtojë kohëzgjatjen e COVID-19.

Sidoqoftë, sipas tij nevojiten më shumë hulumtime për të përcaktuar nëse terapia konvaleshente me plazmë do të jetë një trajtim efektiv për COVID-19.

Ai tha se terapia me plazmë konvaleshente përdoret nga personat që janë shëruar nga COVID-19 për të ndihmuar në shërimin e pacientëve të prekur nga virusi, veçanërisht në fazën e hershme të sëmundjes.

“Përdorimi i kësaj plazme për pacientët me coronavirus 2019 është lejuar gjatë pandemisë, sepse nuk ka pasur asnjë trajtim të aprovuar për COVID-19. Gjaku i dhuruar nga personat që janë shëruar nga COVID-19 përmban antitrupa ndaj virusit që e shkakton atë. Gjaku i dhuruar përpunohet duke hequr qelizat e kuqe të gjakut, dhe duke lënë pas plazmën dhe antitrupat. Këto mund t’u jepen njerëzve me COVID-19 për të rritur aftësinë e tyre për të luftuar virusin”, tha Zenuni.

Doktor Zenuni po ashtu tha se plazma është pjesa e lëngët me ngjyrë të verdhë të çelët që përbën afërsisht 55% të gjakut.

“Kryesisht është ujë, por mbart antitrupa të cilat trupi ynë i shfrytëzon si përgjigje ndaj ndonjë virusi që sulmon organizmin tonë. Antitrupat qëndrojnë në plazmë për një kohë të caktuar në trup. Plazma konvaleshente është një përpjekje e jonë për të transferuar ata luftëtarë biologjik të armatosur, nga një luftë e suksesshme në një fushëbeteje të re, përmes transfuzionit të gjakut”, u shpreh ai duke shtuar se terapia me plazmë konvaleshente mund t’u jepet pacientëve me COVID-19 që janë të shtruar në spital.


“Mjeku do të ordinojë plazmën konvaleshente për pacientët në përputhje me grupin e gjakut të dhuruesit të saj”, tha ndër të tjera për Telegrafin transfuziologu specialist, Jeton Zenuni. 

x