Fazat dhe rreziqet në adoleshencë, flet psikologia

11.08.2020 18:22

Fazat dhe rreziqet në adoleshencë, flet psikologia

Adoleshenca është njëra ndër fazat më të rëndësishme tek individi. Ajo paraqet periudhën kalimtare të zhvillimit psikologjik dhe fizik, që fillon rreth moshës 12 vjeç, e cila shoqërohet me ndryshime biologjike të ndryshme.

Në një prononcim për PORTALI.info, psikologia Kaltrina Skoro Murtezaj, ka treguar për krizat e  fazës së adoleshencës dhe karakteristikat e kësaj periudhe.

“Njëra prej karakteristikave të moshës adoleshente natyrisht është statusi kalimtar i saj, ku kjo moshë nënkupton periudhën e kalimit prej një faze jetësore në një fazë tjetër, ku për fëmijën e moshës 10-11 vjeç i cili po përgatitet të hyjë në botën e të rriturit dhe tek i cili nuk është krijuar ende identiteti i tij deri në fund kjo fazë paraqet një sfidë të vërtet të zhvillimit personal. Që nga fillimi i moshës adoleshente tek adoleshenti fillon kërkimi i gjatë i Unit personal si dhe i identitetit të tij, si diçka unikale dhe e papërsëritshme. Kjo fazë e kërkimit të unit shpesh herë karakterizohet me një varg krizash sepse, individi mund të përjetojë momente të cilat mund të mos i pëlqejnë për veten ose mund të jenë negative dhe mund të shkaktojnë kriza tek ai”, sqaroi ajo.

Tutje, psikologia ka treguar karakteristikat e kësaj moshe dhe ndjejat që i’u paraqiten më së  shpeshti atyre.

”Vëmendja e adoleshentëve është e orientuar më shumë kah veçoritë e tij fizike ( pamja e jashtme), të cilës ata i kushtojnë rëndësi të veçantë. Kështu, vlerësimet negative të pamjes së jashtme adoleshentët i përjetojnë me shumë dhembje dhe ky vlerësim mund të ketë pasoja edhe në raportet me njerëzit e tjerë. Adoleshentët zakonisht karakterizohen me nivel të ulët të vetëbesimit, dhe shpeshherë kur kemi mospërputhje në mes të karakteristikave individuale trupore të adoleshentit me idetë dhe dëshirat e tij për bukuri me standardet e mbi normales atëherë kjo ndikon edhe më shumë në uljen e nivelit të vetëbesimit tek ata. Bashkë me zhvillimin e shumë proceseve të jashtme te adoleshentët fillon edhe zhvillimi fiziologjik seksual. Ky zhvillim mund të jetë po ashtu shqetësues për adoleshentët si dhe adaptimi me këto ndryshime natyrisht që kërkon kohë. Me rritjen e ndryshimeve hormonale tek adoleshentët rritet vëmendja nder gjinore si sjellje e imituar prej të rriturve. Adoleshenti e zbulon identitetin e tij përmes sjelljes imituese nga të rriturit duke e kërkuar rolin i cili më mirë i përshtatet.

Gjatë kësaj rruge te adoleshentët paraqiten ndjenja e frikës, e vetmisë, e izolimit, e pasigurisë si dhe ndjenja e vetëbesimit të ulët ngase adoleshenti e ka të vështirë zgjedhjen e modelit të përsosur me të cilin dëshiron të identifikohet. Mirëpo për të zgjedhur modelin e përsosur dhe të duhur, adoleshentëve ju duhet ndihma e të rriturve, e kryesisht e prindërve të tyre. Por, ata shpesh e refuzojnë këtë ndihmë ngase nuk dëshirojnë që dikush t’i këshillojë e aq më pak kur atë e bëjnë prindërit e tyre", sqaroi psikologia.

"Për ta kuptuar më mirë karakterin e adoleshencës, duhet të njohim mirë fazën e fëmijërisë dhe adoleshencës. Logjikë kjo e cila ka të bëjë me atë se gjatë fazës së fëmijërisë fëmija gjithmonë tenton të adaptohet në ambientin të cilin për të e krijojnë njerëzit e rritur, kurse në fazën e adoleshencës kjo praktikë ndërpritet dhe fëmija mbetet vetëm para nevojës të mësohet të jetojë në rrethin e të rriturve i cili rreth nuk është strukturuar për t‘i plotësuar gjitha nevojat e adoleshentit. Në moshën adoleshente realizohet ndryshimi përfundimtar i psikikës i cili e shënon fundin e fazës së fëmijrisë dhe fillimin e jetës së personit në botën e të rriturve. Realizimi i suksesshëm i këtyre ndryshimeve psikike varet nga realizmimi i suksesshëm i të gjitha ndryshimeve tjera që paraqiten te adoleshentët", përfundoj ajo.

Për fund psikologia i këshillon prindërit se gjatë periudhës së adoleshencës tek fëmijët e tyre, të jenë sa më të kujdesëshëm./PORTALI.info/

x