Fjalimi i ambasadorit të Britanisë në OKB: Kosova po tregon pjekurinë, sulmet ndaj policëve duhet të dënuar

21.04.2022 21:28

Fjalimi i ambasadorit të Britanisë në OKB: Kosova po tregon pjekurinë, sulmet ndaj policëve duhet të dënuar

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, James Kariuki,  në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, e ka vlerësuar punën që UNMIK-u e ka bërë në Kosovë për përparimin e saj të jashtëzakonshëm që nga miratimi i rezolutës 1244 në vitin 1999, por se tani detyrat e këtij misioni duhen rishikuar pasi që situata në Kosovë nuk është ajo e viteve 1999.

Kariuki, në fjalimin e tij, i cili është publikuar në faqen zyrtare të qeverisë së Britanisë së Madhe, ka shtuar se institucionet e Kosovës vazhdimisht po tregojnë pjekurinë e tyre, dhe se sulmet e dhunshme që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës, duhet dënuar.
 
Me tej, ai ka thënë se duhet mirëpritur angazhimi i qeverisë së Kosovës për t’i dhënë përparësi sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, po ashtu edhe trajtimi që qeveria i bënë çështjeve për personat e pa gjetur dhe viktimave seksuale, duke shtuar se duhet të vlerësohet edhe kontributi i Kosovës për të mbështetur Ukrainën.

Përveç kësaj, ambasadori britanik, ka përmendur edhe zgjedhjet serbe, duke thënë se qeveria duhet t’i përmbush detyrat e saj kushtetuese për të integruar komunitetet pakicë.

Tutje, Kariuki, ka folur edhe për raportimet se kinse Britania e Madhe po e furnizon me armë antitank Kosovën, raportime të cilat ambasadori i ka quajtur si të pabaza, por në të njëjtën kohë, ai ka potencuar se Britania e Madhe e mbështet të drejtën e Kosovës për të zhvilluar edhe më tej forcat e veta të armatosura.

Në deklarimin e tij, në mbledhjen e KS-s, ambasadori Karuiki, është shprehur po ashtu se, Britania, e mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dialog i cili ka Përfaqësues Special të BE-së, Miroslav Lajçak, duke shtuar se të dy palët, edhe ajo e Kosovës edhe pala serbe duhet të angazhohen në dialog duke qenë të hapura ndaj kompromisit, duke shmangur veprimet por edhe retorikën që mund të zvogëlojë mundësitë për një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, nga e cila do të përfitojnë të dy vendet. 

x