Flet shqiptari që ishte dëshmitar i tragjedisë në një shkollë të Teksasit

25.05.2022 22:34

Flet shqiptari që ishte dëshmitar i tragjedisë në një shkollë të Teksasit

Tragjedia në Uvalde të Teksasit (SHBA), ku 18-vjeçari Salvador Ramos, me armë zjarri vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur në shkollën fillore të qytetit, ka shumë dëshmitarë.

Ata me sytë e tyre panë llahtarinë që ndodhi mbi nxënësit, që në atë shkollë, janë nga klasa e parë deri në të gjashtën.

 

Mes këtyre dëshmitarëve të shumtë, prindër e kalimtarë të rastit, qëlloi të jetë edhe Fidan Mustafa, i cili nga viti 2005, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka rreth një vit që jeton në Uvalde. Në rrëfim për RTKlive, si dëshmitar i rastësishëm i kësaj kasaphane, ku viktima janë nxënësit nga klasa e dytë deri në të katërtën, e ka të vështirë të përshkruajë tërë atë se çfarë ka parë.

 
“Është e tmerrshme çfarë ka ndodhur”, thotë Fidan Mustafa, 37 vjeçari që nga Kosova,  me prejardhje nga fshati Poterq i Epërm, komuna e Klinës.

Thotë se nuk do ta kishte menduar se dërgimi i një pice tek një klient, do të ishte shkak që ai të përjetonte si dëshmitar këtë tragjedi. Krejt ndodhi mëngjesin e së martës, rreth orës 11:30 minuta.

Si pronar i një restoranti që shërben dhe shpërndan pica, në bisedë për RTKlive, Fidani tregon se kishte marrë një porosi nga një klient.

“Klienti e ka shtëpinë afër shkollës. Ia dërgova ushqimin dhe meqë koha ishte e mirë, dritaren e veturës e kisha të hapur”, tregon ai për RTKlive. “Kur papritur kam dëgjuar krisma të armës”.

Thotë se ishin krisma të forta. “Aq të forta ishin krismat, sa kam menduar se po  shkrepin pranë veturës”.

Në atë moment, rrëfen se ka ndaluar veturën. “Dola nga vetura të shoh çfarë po ndodhë”. Tregon se në vendin ku ishte, mbërriti edhe patrulla me sherifë (policia në Teksas).

“Sherifët filluan të shtënë me armë dhe njëri prej tyre më bërtiti, që të hyjë në veturë, të shtrihem e të mos lëvizë”, thotë Fidani, duke përshkruar këtë ngjarje makabre.

“Shkolla nga ku gjuante personi i armatosur në drejtim të sherifëve, ishte vetëm rreth 30 metra larg”, thotë ai. “Kam hy në veturë dhe kam qëndruar rreth 10 minuta”.

Fidani tregon se pas pak,  nisën të vijnë edhe njerëzit nga shtëpitë përreth si edhe ata që ishin në qytet, për të parë se çfarë po ndodhte afër shkollës. “Paniku ishte i madh sepse shumë prej tyre kanë fëmijët në atë shkollë”.

“ishte e tmerrshme. Fëmijët e mësueset bërtisnin në shkollë. Dëgjoheshin të bërtiturat e tyre edhe në rrugë”, thotë Fidani, i cili disa herë gjatë bisedës për RTKlive, e përmend faktin se ndoshta, nuk  gjen fjalët e duhura për të përshkruar llahtarinë e asaj çfarë ka parë.

“Sherifët erdhën menjëherë dhe e rrethuan shkollën”, thotë ai.

Megjithatë, kjo është vetëm njëra pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndë. Rrëfimi në pika të shkurtra, që një person i ka dhënë policisë në ato momente, lë të kuptohet se dëshmitari kosovari me prejardhje nga Klina, ka parë vetëm gjysmën e tragjedisë.

“Ky qytetari (amerikan) që i tregoi policisë se çfarë ka parë, e ka shtëpinë afër shkollës”, thotë Fidani për RTKlive.

“Ai i tregoi policisë se ka qenë duke pirë kafe,  kur  ka dëgjuar zhurmën, pasi një veturë ka rënë  në kanalin skaj rrugës”, rrëfen Fidani.

Sipas kosovarit, dëshmitari amerikan  i ka treguar policisë se sulmuesi, pasi ka rënë në kanal, ka kapërcyer rrethojën, ka kaluar fushën e sportit dhe është nisur drejt shkollës.

 “Ai po ndiqej sepse para se të vinte në shkollë, e kishte qëlluar me armë gjyshen e tij, e qytetarët e kishin lajmëruar rastin në polici, prandaj po ndiqej”.

Dëshmitari nga Klina me banim në Teksas, tregon se policia i kishte thënë personit të armatosur që të ndalonte, por ai kishte qëlluar në drejtim të tyre, duke i plagosur dy prej tyre.

 “Ai dëshmitari siç e dëgjova duke i treguar policisë, pasi i ka plagosur policët, e ka mbushur armën edhe ka hyrë në shkollë”, thotë Fidani për RTKlive.

 “Unë kam qëlluar, në momentin kur agresori ishte në shkollë”.

Në pyetjen e RTKlive, nëse ka informacione se si është vrarë sulmuesi 18 vjeçar, Fidan Mustafa tregon se një gjë e tillë ende nuk dihet pasi ka dilema nëse atë e kanë vrarë apo është vetëvrarë.

“Shkollat kanë sigurim, por nuk janë të armatosur. Nuk ka treguar ende askush nëse atë e kanë vrarë apo ai e ka vrarë veten”, thotë ai.  “Tani rastin po e heton FBI (Zyra Federale e Hetimeve)”.

Sa për motivet që kanë mundur ta shtyjnë një 18 vjeçar të kryejë një akt të tillë, Fidani thotë se ka spekulime, por asgjë zyrtare deri më tash.

“Ky ka qenë nxënës i shkollës së mesme. Të premten kanë pasur mbrëmjen e maturës”, thotë ai. “Mediat këtu po raportojnë se ai dhe tre të tjerë, kishin planifikuar të sulmojnë këtë shkollë, por edhe shkollën tjetër të mesme”.

Sipas tij, spekulimet janë të ndryshme. “Dikush thotë se aktin e ka kryer për hakmarrje sepse e ka humbur vitin shkaku i suksesit të dobët, dikush tjetër se ai ka pasur problem me shkollë me mësimdhënës, por saktë nuk dihet”.

Sidoqoftë, ajo që tashmë dihet me siguri është se 19 fëmijë nga klasa e dytë deri në të katërtën dhe dy të rritur, u vranë nga plumbat e një 18 vjeçari.

 Fidani thotë se qyteti në Uvalde të Teksasit, sot është zgjuar i zymtë dhe në fytyrën e çdo personi vërehet pikëllimi i thellë.

Tregon se autoritetet ende nuk kanë treguar se kur do të organizohet ceremonia e varrimit, kurse frika e paniku mes banorëve edhe më tej vazhdon.

“Edhe djali im që është 5 vjeç, ishte në çerdhen që ndodhet afër shkollës dhe e ka përjetuar panikun”, rrëfen Fidani për RTKlive.

“E dini çfarë më tha-babi po kam shumë frikë!”

x