Gjykata merr vendim për xhaxhanë që abuzoi seksualisht me nipin në Ferizaj

16.11.2020 19:09

Gjykata merr vendim për xhaxhanë që abuzoi seksualisht me nipin në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit ndaj A.M., të dyshuar për sulm seksual ndaj të miturit, djalit të vëllait.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka marrë vendim për paraburgim prej një muaji kundër të pandehurit A.M., pasi që i njëjti dyshohet se ka abuzuar seksualisht nipin e tij të mitur, djalin e vëllait.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj”, thuhet në njoftim. 

x