Greqia nuk gjen qetësi, goditet nga tërmete të njëpasnjëshme

28.09.2021 15:45

Greqia nuk gjen qetësi, goditet nga tërmete të njëpasnjëshme

Kreta nuk po gjen qetësi pas tërmetit me magnitudë 5.8 të shkallës rihter që goditi ishullin, ditën e hënë.

 
Aktiviteti sizmik vijon, dhe gjatë së martës u shënua një tjetër lëkundje e fortë në Heraklion, me magnitudë 5.3. Sipas Insitutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ishte në Arkalohori, 22 km larg kryeqytetit, e njëjta zonë ku u regjistrua edhe lëkundja e parë.

Më herët, pak para mesnate dhe më vonë, u regjistruan dy tërmete të tjera të shkallës 4.4 rihter. Sipas informacioneve, dëme të reja janë shënuar në godinat e dëmtuara, e sipas mediave lokale në Greqi, rrëshqitje dheu pati në Koudoumas.

“Shtëpitë tona u shkatërruan, mobiliet, gjithçka. Më dukej sikur nuk do të dilja dot jashtë shtëpisë. Isha e tmerruar. Nuk ruaja dot ekuilibrin”, janë dëshmitë e disa prej të mbijetuarve.

Aktiviteti sizmik ka nxjerrë sërish nëpër rrugën banorët e frikësuar. Shumë qytetarë në Arkalohori e kaluan natën në automjete, tenda dhe hotele, pas tërmetit të së hënës që shkaktoi një viktimë, dhjetëra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese.

Pas tërmetit, ekspertët kishin paralajmëruar për paslëkundje të forta me magnitudë 5 të shkallës rihter. Ata kanë thënë se sekuenca sizmike pritet të jetë e pasur dhe do të vijojë për një kohë të gjatë. Mbi 40 paslëkundje kanë pasuar deri më tani, në tërmetin që goditi pjesën lindore të ishullit të Kretës.

x