Greqia siguron 700 mijë dozat e para të vaksinës së Covid-19

19.08.2020 13:20

Greqia siguron 700 mijë dozat e para të vaksinës së Covid-19

Ministri grek i shëndetësisë tha se shpreson që vendi t`i marrë dozat e para të vaksinës së koronavirusit në muajin dhjetor, falë një marrëveshjeje mes BE-së dhe industrisë farmaceutike.

 “Nëse gjithçka shkon mirë, Greqia do të marrë sipas planit 7 ngarkesa fillestare. Do të nisim në dhjetor me 700.000 doza”, tha Vassilis Kikilias për SKAI TV. Dërgesat, sipas tij, do të vazhdojnë nga dhjetori deri në qershor. Komisioni Europian njoftoi të premten se kishte arritur një ujdi me grupin AstraZeneca për blerjen e një vaksine të mundshme kundër Covid 19.

Kjo marrëveshje do t`i lejojë bllokut t`i dhurojë sasi vaksine vendeve me të ardhurave më të ulëta, ose ta ridrejtojë tek shtetet e tjera europiane. Komisioni sqaroi se në momentin që “ vaksina do të provohet e sigurt dhe efikase”, ai do të blejë 300 milionë doza, duke lënë të hapur mundësinë që më vonë, të marrë edhe 100 milionë të tjera.

Greqia konsiderohet se ka një nivel relativisht të ulët infektimesh dhe vdekjesh nga Covid-19 krahasuar me vende të tjera të kontinentit të vjetër, megjithatë këto javët e fundit edhe atje, përhapja e sëmundjes ka marrë përmasa shqetësuese. Nga 7.200 raste që ka shënuar ajo gjithsej, mbi 2.800 ishin vetëm gjatë muajit gusht. Bilanci I vdekjeve deri tan në vendin fqinj është 230.  

 

x