Hajdari tregon prioritetet e ministrisë që drejton në planin strategjik

19.01.2022 12:15

Hajdari tregon prioritetet e ministrisë që drejton në planin strategjik

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mbajti një tryezë të hapur me Lëvizjen Fol, ku tregoi për gjashtë prioritetet që ka ministria në planin strategjik.

Hajdari përmendi përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, zhvillimin e politikave tregtare dhe industriale, zhvillimi i ndërmarrësisë, inovacionit dhe pronësisë industriale, zhvillimin e qëndrueshëm nëpërmjet turizmit, si dhe promovimin dhe përkrahjen e investimeveve, si prioritete të ministrisë që ajo drejton.

“Është e rëndësishme të përmendet, sidomos pas COVID-19, kur Kosova mund të jetë një furnizues potencial për tregun evropian dhe më gjerë, e kemi parasysh përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorit, por te cilësia duke u munduar që të kemi sa më shumë produkte të certifikuara tona nga industria jonë vendore”, u shpreh ministrja.

“Kosova ka potencial të madh, dhe ne duhet të dimë se çka mund të ofrojë Kosova më së shumti”, tha Hajdari, transmeton Klankosova.tv.

“Përmirësimi i të bërit biznes, mbikëqyrja e tregut është shumë e rëndësishme. Duhet të synojmë më shume rritje të eksportit”.

Tutje Hajdari tha se interesi për investime të huaja në vend është rritur.

“Kemi pas shumë interesime për investime në Kosovë, pasi taksat janë të ulëta 10 përqind, si dhe infrastruktura rrugore dhe digjitale janë përparësi”, tha ajo.

E pyetur për taksën ndaj bizneseve që u kthye në vlerën normale, ministrja tha se bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, kanë ardhur në konkludim se ajo ka qenë për një kohë të caktuar, dhe se ministri ka marrë këtë vendim nga analiza në terren

“Nuk mendoj se është marrë një vendim pa evidencë”, tha Hajdari.

“Jemi qeveri që nuk marrim vendime pa evidencë”, shtoi ajo.

x