Haxhiu reagon për gruan që u vra dje nga burri: Ata që neglizhuan rastin të largohen nga sistemi i sigurisë

15.03.2021 19:10

Haxhiu reagon për gruan që u vra dje nga burri: Ata që neglizhuan rastin të largohen nga sistemi i sigurisë

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi një grua u vra dje në kryeqytet nga bashkëshorti i saj.

Sipas Haxhiut institucionet përgjegjëse të cilat, ishin në dijeni për rastin, dështuan të kryenin punën e tyre.

Ajo kërkon largimin e tyre nga përgjegjësitë e tilla.

“Ata që neglizhojnë rastet e tilla, duhet të largohen nga sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend në sistem për ata që nuk kryejnë detyrat e tyre!”, shtoi ajo.

Postimi i saj i plotë:

Edhe një grua u vra dje nga ish bashkëshorti dhe sipas medieve thuhet se e ndjera kishte denoncuar dorasin në polici me 3 mars të këtij viti.

Sikur institucionet të vepronin me kohë sipas përgjegjësive që kanë, do të mund të parandalohej krimi i rëndë ndaj të ndjerës.

Edhe sa gra duhet të vriten në mënyrë që institucionet të reagojnë kundrejt këtyre veprimeve kriminale?

Neglizhenca duhet të ndëshkohet. Nuk mund të vazhdohet tutje kësisoj sepse dhuna në familje NUK është çështje private por është përgjegjësi shtetërore!

Ata që neglizhojnë rastet e tilla, duhet të largohen nga sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend në sistem për ata që nuk kryejnë detyrat e tyre! 

x