Helmimi në Deçan, ministrja Rizvanolli i shkon në zyre “Hidrodrinit”

16.07.2021 16:47

Helmimi në Deçan, ministrja Rizvanolli i shkon në zyre “Hidrodrinit”

Ministra e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të vizitojë sot Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Në njoftimin e kësaj ministrie bëhet e ditur se ajo atje do të takohet me Bordin e kësaj ndërmarrje.

Pas takimit, ministrja do të mbajë edhe konferencë për media.

“Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli viziton sot me datë 16.07.2021 Bordin e KRU “Hidrodrini” Sh.A. në Deçan, ku pas takimit do të mbajë konferencë për media. Konferenca do të zhvillohet në orën 17.30 para objektit të KRU “Hidrodrini” Sh.A. në Deçan”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në ndërkohë nga java e kaluar, rreth 2 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit në Deçan.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar sot se nga ekzaminimet në mostrat e pacientëve që janë dërguar për testim në laboratoret jashtë Kosovës, për të gjetur shkaktarin e helmimeve në Deçan, janë detektuar tri bakterie.

IKSHP’ja ka bërë me dije se ekzaminimet janë duke vazhduar për detektim të patogjenëve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

“Në vazhdën e hulumtimit epidemiologjik në terren ekipet e IKShPK kanë vazhduar kërkimin e e shkaktarit të shpërthimit epidemik në komunën e Deçanit: Në dy mostrat e fecesit të dërguara më datën 15 korrik 2021, për testim në laboratoret jashtë Kosovës, janë detektuar Norovirus GI/GII, Enteropathogenic E.Coli (EPEC) dhe Enterotoxigenic E.Coli (ETEC).

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjenëve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar. Për të gjitha informacionet dhe rezultatet laboratorike që do marrim, do të informojmë me kohë qytetarët”, thuhet në njoftim

x