Hudson-Odoi tentoi transferimin te Dortmundi, Tuchel tregon se vuri veton

12.09.2021 14:14

Hudson-Odoi tentoi transferimin te Dortmundi, Tuchel tregon se vuri veton

Sulmuesi i Chelsea-t, Hudson-Odoi, në ditët e fundit të merkatos verore tentoi transferimin te Borussia e Dortmundit në Bundesligë, por operacioni, me gjithë dëshirën e lojtarit, nuk u krye për shkak të vetos që vuri trajneri Thomas Thuchel.

Vetë tekniku gjerman i “bluve” të Londrës shpjegoi në prag fitores 3-0 ndaj Aston Villas prapaskenat e merkatos, duke saktësuar se 20-vjeçari është shumë i rëndësishëm për skuadrën që ai drejton.

“Ne nuk mund të lejonim largimin e një lojtari që është pjesë e skuadrës e një grupi të rëndësishëm prej 18 ose 19 vetësh. Ai mund të luajë në krahun e djathtë, në të majtë, pra në disa pozicione. Ai e njeh ekipin dhe ne e njohim shumë mirë. Nuk kishte asnjë shans që ne të thoshim “po” në ditën e fundit të merkatos.”

Hudson-Odoi, për të cilin edhe Bayerni i Mynihut ka shfaqur dikur interes, është nën kontratë me Chelsea-n deri në vitin 2024, pasi e ka rinovuar marrëveshjen në vjeshtën e vitit 2019. Deri më tani ai ka bërë dy paraqitje në ndeshjet zyrtare të kampionëve në fuqi të Championsit, ndërsa në takimin e fundit ndaj Aston Villas luajti titullar.

Tuchel, duke komentuar dëshirën e sulmuesit për t’iu bashkuar Dortmundit, shtoi: “Mund të ketë qenë një mundësi e mirë për të, personalisht, por ishte thjesht e pamundur për ne dhe objektivat që ne duam të arrijmë. Ishte një vendim vërtet i lehtë për mua.”

x