I lidhi vaksinat për Covid me AIDS-in, nisin hetimet kundër presidentit të Brazilit

04.12.2021 12:54

I lidhi vaksinat për Covid me AIDS-in, nisin hetimet kundër presidentit të Brazilit

Gjykata Supreme e Brazilit ka urdhëruar një hetim rreth pretendimit të rremë të Presidentit Jair Bolsonaro se njerëzit që janë vaksinuar kundër Covid-19 mund të kenë rrezik më të lartë për t’u prekur nga AIDS-it.

Bolsonaro e kishte bërë këtë pretendim në një transmetim të drejtpërdrejtë në disa platforma të rrjeteve sociale në tetor. Pas këtyre komenteve, ai u pezullua përkohësisht nga Facebook dhe YouTube, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, i nisi hetimet si përgjigje ndaj kërkesës së komisionit parlamentar që e ka hetuar menaxhimin e pandemisë nga qeveria e Bolsonaros, sipas një deklarate të publikuar nga Gjykata Supreme.

Bolsonaro është kritikuar gjerësisht brenda e jashtë vendit për nënvlerësimin e ashpërsisë së virusit, përfshirë dekurajimin e njerëzve për t’u vaksinuar, pavarësisht se Brazili është përballur me një ndër përhapjet më të rënda të virusit në botë.


Komisioni parlamentar ka pasur qasje në dokumente që tregojnë se qeveria braziliane i ka injoruar së paku 81 oferta për vaksina nga kompania “Pfizer” vitin e kaluar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Brazili të premten regjistroi 221 vdekje të lidhura me Covid-19. Që nga fillimi i pandemisë, shteti më i madh i Amerikës Jugore ka regjistruar zyrtarisht 615.400 viktima të koronavirusit.

x