Icardi pranë lamtumirës nga PSG, Juvja e mendon, Roma e sheh pasues të Dzekos

25.03.2021 16:15

Icardi pranë lamtumirës nga PSG, Juvja e mendon, Roma e sheh pasues të Dzekos

Mauro Icardi duket se është i destinuar të kthehet në Itali. Përvojës së tij jo shumë të lumtur në radhët e PSG-së duket se po i vjen fundi. Drejtuesit e klubit parizien janë të impenjuar në rinovimet e “yjeve” të tillë si Neymar e Mbappe si dhe për afrimin e mundshëm të Lionel Messit apo Cristiano Ronaldos, kështu që nuk kanë ndërmend të shpenzojnë shumë para për pagën e një lojtari që nuk konsiderohet titullar fiks.

Ish-futbollisti zikaltër ka admiruesit e tij në Serinë A. Juvetusi dhe Roma kanë kohë që janë interesuar për argjentinasin. Edhe pse vëmendja e bardhezinjve është larguar disi muajt e fundit, skuadra e Pirlos ka nevojë për një “pykë”, duke marrë në konsideratë faktin që dy nga tre “big”-ët aktualë, Ronaldo, Morata dhe Dybala, do të largohen.

Te “Zonja e Vjetër” ekziston dyshimi, në këtë moment delikat të rindërtimit të skuadrës, për përshtatjen e Icardit, i cili nuk jep garanci sa i përket vazhdimësisë dhe integrimit me grupin.

Nga ana tjetër, Roma, duke besuar se Edin Dzeko do të largohet në fund të sezonit, ka nevojë për një sulmues të parë me karakteristikat e Icardit.

Dyshimet ekzistojnë për investimin ekonomik. Çmimi i lartë i kartonit të ish-it zikaltër mund të amortizohet me formulën e transferimit: huazim me të të drejtën e blerjes.

x