Inaugurohet Qendra Kosovare për Mësim në Distancë

04.08.2021 21:04

Inaugurohet Qendra Kosovare për Mësim në Distancë

Është bërë inaugurimi i Qendrës Kosovare për Mësim në Distancë, me ç’rast u theksua se është tejet e rëndësishme që të rinjtë të kenë qasje në mundësi digjitale.

Kjo qendër do të mbulojë tri fusha të veprimit, ngritja e projekteve kërkimore, hulumtuese në fushën e mësimit digjital apo virtual, ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe nxënësve sa i përket mësimit digjital dhe virtual, dhe avokim për krijimin e infrastrukturës ligjore për digjitalizim të arsimit në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se pandemia COVID-19 e ka sjellë në vëmendje domosdoshmërinë që të jenë të përgatitur edhe për mësimin në distancë. Ajo tha se mësimi në distancë duhet të konsiderohet si një risi dhe se duhet të punohet në mënyrë që nxënësit e mësimdhënësit të mësohen me të.

“Sfidat e fundit dhe pandemia COVID-19 na kanë sjellë në vëmendje domosdoshmërinë që të jemi të përgatitur edhe për këtë formë të mësimit. Hulumtimet e para na tregojnë se mësimi në distancë gjatë pandemisë jo vetëm në Kosovë po në të gjitha vendet e botës nuk është se është treguar si një zëvendësim i përshtatshëm dhe i plotë për mësimin në prezencë. Mirëpo, jemi shumë të vetëdijshëm se kjo nuk ka ndodhur se mësimi në distancë është inferior si formë në raport me mësimin në prezencë, por edhe për shkak të faktit se asnjë vend në botë nuk ka pasur resurse të tilla që të ofrojë mësim në distancë për një numër kaq të madh të nxënësve dhe të studentëve, siç ishte rasti gjatë pikut të pandemisë ku mbi 1 miliard fëmijë e të rinj anekënd botës nuk mundën të vijonin mësimin e rregullt. Mësimi në distancë, edhe pse aktualisht ka një historik të shkurtër, duhet të konsiderohet si risi dhe të punojmë të mësohemi me të”, u shpreh ajo.

Kjo formë e mësimit, Nagavci tha se duhet të promovohet përmes kurseve të përgatitura dhe të realizuara me metoda të përshtatshme për mësimin në distancë.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Mësim në Distancë, Antigona Uka, ka bërë të ditur se ideja për krijimin e një qendre të tillë ka lindur qysh në vitin 2016, e që pas 5 vjetësh tashmë po fillon punën e saj.

Ajo tha se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që të rinjtë të kenë qasje në mundësi digjitale, e një gjë e tillë u shpreh se është qëllimi kryesor i kësaj qendre, teksa tregoi fushat e veprimit që mbulon kjo qendër.

“Sot 5 vjet pas nismës studentore të quajtur “Mëso online” jemi të lumtur të hapim zyrat e Qendrës së parë të Arsimit në Distancë në Kosovë. Si qendër ne do të mbulojmë tri fusha të veprimit, e para ngritja e projekteve kërkimore, hulumtuese në fushën e mësimit digjital apo virtual, e dyta është ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe nxënësve sa i përket mësimit digjital dhe virtual dhe e treta, avokim për krijimin e infrastrukturës ligjore për digjitalizim të arsimit në Kosovë”, tha ajo.

Uka tha se duke krijuar infrastrukturën ligjore bëhet edhe zgjerimi i qasjes në opsionet e të nxënit dhe mësimdhënies digjitale, krijon kualifikimet e njohura ligjërisht dhe inkurajon mësimdhënësit të zhvillojnë kompetencat e tyre në këtë fushë.

“Të mësuarit digjital mund të jetë më efektiv sesa vetëm ai tradicional, pra të mësuarit e kombinuar. Kjo për shkak se nxënësit janë në gjendje të mësojnë sipas ritmit të tyre duke lexuar, duke rilexuar apo duke kaluar më tepër kohë në konceptet që ata zgjedhin vet. Nga perspektiva e politikë-bërjes shihet qartë që ndërhyrjet, të cilat adresojnë jo vetëm pjesëmarrjen, por edhe aftësitë digjitale dhe mësimin online në përgjithësi, janë po aq faktor i rëndësishëm në mbarëvajtjen e mësimit në distancë sa edhe kyçja dhe të mbuluarit digjital. Një politikë tjetër shumë e rëndësishme që do të përshpejtonte zbatimin dhe rritjen e pjesëmarrjes në mësimin digjital është kontekstualizimi i praktikave të mira nga rajoni dhe bota me përfshirjen e mësimit online në atë tradicional”, tha ajo.

Enis Rexhepi, përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë që ka dhënë mbështetje për Qendrën, tha se në vazhdimësi kanë ofruar fonde për përmirësimin e edukimit në Kosovë.

“Jam krenar që nga 2016 jemi duke punuar në këtë projekt të vogël dhe ky grup i vogël u rrit në një institucion të madh. E dija se do të ishte e vështirë. Ky përkushtim është nga ana e jonë si ambasadë për edukimin në Kosovë. Ne kemi punuar në projektin e edukimit dhe do të shihen benefite më vonë. Ne kemi dedikuar fondet dhe strategjinë, burimet tona, stafin tonë që 100 për qind të përmirësojmë mundësinë e edukimit në Kosovë. Ne kemi mjaft mbështetje dhe ne jemi të vetëdijshëm se Kosova ka kapacitete njerëzore që të jenë garues në tregun global, e cila do të vijë së shpejti dhe do të jemi të hapur ndaj tregut global. Ne duhet të ndihmojmë kapacitetet e mrekullueshme të rinisë që janë këtu dhe në këtë drejtim jemi duke punuar çdo ditë në ndërtimin e institucioneve dhe projekteve të reja dhe gjetjes së ideve të reja”, tha ai.

Përmes një video-mesazhi, të pranishmëve iu është drejtuar edhe zëvendës presidenti nga “Michigan Virtual”, Joe Freidhoff, i cili u shpreh se kjo qendër është një mundësi e mirë për nxënësit dhe shkollat në Kosovë.

x