Inter provon të joshë Inzaghin, drejtuesit zikaltër takojnë kapitenin e Milanit

27.05.2021 18:33

Inter provon të joshë Inzaghin, drejtuesit zikaltër takojnë kapitenin e Milanit

Orë të nxehta merkatoje në klubin e Interit, që vetëm tre ditë pasi mori zyrtarisht titullin kampion të 19 në histori, ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Conte dhe tani është vënë në kërkim të një tjetër emri për t’i besuar pankinën.

Mediat kanë lakuar emra të shumtë, por primar për zikaltrit vijon të mbetet Simone Inzaghi, i cili ka arritur një marrëveshje për të rinovuar me Lazion, me një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon.

Burime pranë klubit zikaltër bëjnë me dije se Inzaghit i është ofruar një kontratë dy vjeçare me pagë 3.5 milionë euro në sezon dhe tani i mbetet trajnerit kryeqytetas që të vendosë nëse do të mbajë fjalën e dhënë ndaj presidentit Lotito, apo do të transferohet në Milano.

Vlen të theksohet se sot në zyrat zikaltër është parë sërish menaxheri i mbrojtësit Alessandro Bastoni dhe shumë shpejt mund të zyrtarizohet rinovimi i kontratës së këtij të fundit me Interin. Palët kanë arritur një marrëveshje që para dy muajsh dhe firma është një formalitet i shtyrë për t’u hedhur vetëm pas përfundimit të kampionatit.

Po sot drejtuesit zikaltër Piero Ausilio e Dario Baccin janë parë nën shoqërinë e kapitenit të Milanit, Alessio Romagnoli dhe kaq ka mjaftuar që të ndizen zërat për një transferim të tij në anën zikaltër të Milanos.

Burimet konfirmojnë se takimi ka qenë rastësor, por fakt është se Romagnoli nuk shihet më si titullar nga Stefano Pioli dhe drejtuesit e Milanit nuk i kanë ofruar ende një kontratë të re, duke qenë se aktualja skadon një vit më vonë.

x