Ish-oficerit serb i vërtetohet dënimi me 12 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

15.11.2021 14:12

Ish-oficerit serb i vërtetohet dënimi me 12 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin prej 12 vjetësh, për krime lufte në Kosovë ndaj ish-oficerit të policisë serbe, Zoran Gjokiq (Z.D.).

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se duhet që të refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Gjokiq, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kurse është hedhur si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara.

“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.D. është shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Krime të luftës kundër popullatës civile’, nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, lidhur me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të datës 12.08.1949 dhe Nenin 4 të Protokollit 2, i datës 08.06.1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës, duke e dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vjetëve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Ish-pjesëtari i grupeve kriminale serbe, Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen “Kristal” të Pejës, më 11 shkurt u dënua me 12 vjet burgim.

Gjokiqi është arrestuar në vitin 2019 dhe është akuzuar nga Prokuroria Speciale se në muajt mars e prill të vitit 1999, në Pejë, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe, së bashku me të tjerë kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar, plaçkitur e detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre, i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.

I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili në momentin e vrasjes po e bartte me karrocë një kurban. Ai ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte folur gjatë për faktet, dëshmitë dhe provat e ofruara në këtë gjykim, derisa pati thënë se mbrojtja e të akuzuarit nuk ka arritur të vërtetojë alibinë e Gjokiqit, për të cilën ai akuzohet.

x