Ismaili: Qeveria spektatore ndaj krizës së çmimeve, do ta fusë Kosovën në recension ekonomik

10.03.2022 14:26

Ismaili: Qeveria spektatore ndaj krizës së çmimeve, do ta fusë Kosovën në recension ekonomik

Nënkryetari i PKD-së, Uran Ismaili ka kritikuar Qeverinë për siç ka thënë ai, mosveprim dhe vonesë në reagim ndaj krizës që ka kapluar qytetarët nga rritja e çmimeve.

Në një konferencë për media, sipas Ismailit, pushteti aktual është treguar shpërfillës ndaj dy krizave të njëpasnjëshme, asaj të energjisë dhe rritjes së papërballueshme së çmimeve, duke injoruar paralajmërimet nga opozita, shoqëria civile dhe analizat ndërkombëtare.

“Kujtojmë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e paralajmëroi Qeverinë Kurti për çmimet e energjisë disa muaj para se ato të bëheshin realitet për qytetarin. E njëjta ndodhi edhe kur paralajmëroi që çmimi i produkteve ushqimore do të rritej në masë drastike.”, tha ai.

Sipas Ismailit, Qeveria Kurti, ka marrë rolin e spektatorit duke u shndërruar në vëzhgues dhe jo akter.

“E për më keq, të vetmen konstante e ka arsyetimin.  Kjo qeveri krizën energjetike e reduktoi në kërkesën që qytetarët të mos luajnë play station, arsyetimin që rryma nuk ruhet në frigorifer dhe tani rekomandimin që qytetarët ta kthejnë miellin në furrë.  Kështu nuk menaxhohet oferta dhe kërkesa në ekonomi.”, shtoi Ismaili.

Ai tha se për herë të parë në historinë e pasluftës, Qeveria Kurti do ta fusë Kosovën në recension ekonomik.

“Në Kosovë sot kemi ngritje marramendëse të çmimeve, ku vaji, buka, mielli, etj po tregtohen me çmime që nuk përputhen me mundësitë financiare të qytetarit të Kosovës. Pushteti aktual është duke soditur këtë krize nga ndërtesa qeveritare, përderisa qeveritë në rajon dhe Europë janë duke u marrë aktivisisht me krijimin dhe implementimin e politikave, ligjeve dhe veprimeve të ndryshme për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve. Në Maqedoni të Veriut, Kroaci e më gjerë kemi veprime konkrete që frenojnë rritjen e çmimeve dhe mbrojnë ekonomitë familjare.”, theksoi Ismaili.

Ismaili tha se PDK konsideron se kriza ekonomike dhe sociale, por edhe pasiguria që po e përjeton qytetari i Kosovës është mbi betejën ditore partiake e politike dhe propozon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë këta hapa për zbutjen e krizës që ka kapluar qytetarët tanë:

Të largoj përkohësisht akcizën e aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore
Largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik
Largimin e TVSH-së për të gjitha lëndët e para në sektorin e bujqësisë deri më 1 tetor
Largimin e TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendorë të mallërave esenciale deri më 1 shtator
Lansimin e një programi 3 mujor me BQK deri më 1 qershor për qytetarët që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve
T’i mbështesë furnitorët e grurit dhe produkteve tjera esenciale për t’u qasur në tregjet ndërkombëtare
Të obligohen të gjitha ambasadat e Kosovës të vendosin kontakte per të siguruar furnizim me lëndë të parë për prodhuesit vendorë dhe mallëra esenciale për qytetarët.
“Edhe sot kur kriza e godet Ukrainën, qytetari e paguan faturën e Qeveria Kurti vëzhgon e arsyetohet. Prandaj, edhe sot si shumë herë tjera, po i bëjmë thirrje dhe kërkojmë nga pushteti aktual që të mos vazhdojë me arrogancë e arsyetime, por t’i kuptojë brengat e qytetareve dhe te ndegjoj kërkesat e tyre”, theksoi Ismaili.

x