Juvja në prag revolucioni, Atletico kërkon t’i “rrëmbejë” Dybalan

26.05.2021 19:15

Juvja në prag revolucioni, Atletico kërkon t’i “rrëmbejë” Dybalan

Nga drejtuesit, stoli e lojtarët, tek Juventusi ndihet gjithnjë e më tepërt atmosfera e një revolucioni. Në pritje për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me Cristiano Ronaldon, i gjithë reparti sulmues i bardhezinjve është nën vëzhgim, kjo pasi Paulo Dybala ende nuk e ka rinovuar kontratën që i skadon në qershor 2022, dhe Alvaro Morata pret të mësojë nëse do t’i duhet të kthehet tek Atletico e Madridit, apo kartoni i tij do të blihet përfundimisht.

Nga Spanja ndërkohë vijnë edhe raportimet se “Los Colchoneros”, që sapo kanë festuar triumfin në La Liga, kanë intensifikuar kontaktet me menaxherin e Dybalas. Një kërkesë e bërë drejtpërdrejt nga Diego Simeone, i vendosur që sezonin e ardhshëm të kërkojë protagonizmin edhe në Champions League. Atletico kërkon që të përfshijë në tratativën për të arritur te Dybala pikërisht kartonin e Moratas, që vlerësohet nga spanjollët rreth 55 milionë euro. Tek Juventusi duken të vendosur për të mos pranuar kërkesën e Dybalas për t’i rritur pagën.

Ndërkohë Atleticos i intereson edhe Rodrigo Bentancur, si zëvendësues i Torreiras, që është në largim. Por në këtë rast do ta kenë më të vështirë të bindin Juventusin që të lërë të lirë uruguaianin, që edhe pse nuk ka bindur shumë këtë vit, mbetet një nga lojtarët ku duhet bazuar rindërtimi i mesfushës.

x