Kërcënoi me jetë Milaim Zekën, Gjykata shpallë fajtor Denis Krasniqin

19.05.2021 19:12

Kërcënoi me jetë Milaim Zekën, Gjykata shpallë fajtor Denis Krasniqin

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor Denis Krasniqin, i cili rreth katër vite më parë, përmes rrjetit social facebook e kishte kërcënuar me jetë gazetarin Milaim Zeka, raporton Parrotlla.info

Denis Krasniqit i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, në qoftë se i akuzuari gjatë kësaj kohe nuk do të kryejë vepër penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas aktakuzës me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, ka dhënë Aktgjykim me urdhër ndëshkimor me datë: 08.08.2019, me të cilin të akuzuarit i është shqiptuar dënim me gjobë, në shumën 500.00 euro, duke obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, ndërsa për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontekst të rregullt juridiko-civil.

Sa i përket pranimit të fajësisë nga i akuzuari për kryerjen e veprës penale për të cilën është akuzuar nga prokuroria, gjykata me aktvendim ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, pasi që është bindur se i akuzuari e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit, poashtu ky pranim është bërë vullnetarisht dhe është mbështetur në faktet e çështjes që përmban aktakuza.

Gjykata krahas pranimit të fajsisë nga i akuzuari, gjeti se edhe nga shkresat e lëndës, në veprimet e të akuzuarit ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale Kanosje nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe vërtetoi gjendjen faktike, të përshkruar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, prandaj gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin, pasi që më parë gjeti se është penalisht përgjegjës.

Kujtojmë se më datë 01.07.2017, rreth 09:05, në Prishtinë, Denis Krasniqi, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të frikësimit, e ka kanosur seriozisht gazetarin Milaim Zeka.

Zeka kishte bërë denoncim publik, ku më pas, Policia e kishte arrestuar tashmë të dënuarin Denis Krasniqi.

x