Kosnett: Po lëvizim me shpejtësi në zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit

25.11.2020 19:50

Kosnett: Po lëvizim me shpejtësi në zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Ambasada dhe partnerët e saj po lëvizin me shpejtësi për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes e cila është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Në një komunikatë për media nga Oda Ekonomike Amerikane, në një takim virtual që është mbajtur me ambasadorin Kosnett, ai ka thënë se injorimi i ekonomisë dhe i përfitimeve të qytetarëve vështirëson ecjen përpara.

“Ambasada Amerikane dhe partnerët e saj në Washington po vazhdojnë të lëvizin me shpejtësi të plotë për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit, duke pasur parasysh se përmirësimi i jetës së qytetarëve të zakonshëm është thelbësor për ndërtimin e ekonomisë së rajonit dhe është një nga arsyet pse marrëveshja përqendrohet aq shumë në modernizimin e infrastrukturës, pasi që kjo e fundit lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave përtej kufijve, gjë që është kyçe për zhbllokimin e potencialit të këtij rajoni”, ka thënë ai.

“Nëse shikoni në hartën e Ballkanit, Kosova është në mes të hartës. Fqinjët e Kosovës kanë nevojë për Kosovën po aq sa Kosova ka nevojë për fqinjët e saj, për të ndërtuar një ekonomi rajonale dhe për të ndërtuar një infrastrukturë rajonale,” tha ambasadori Kosnett, duke përfunduar se është e rëndësishme që Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-së, rreth Mini-Schengen-it dhe të punojë me partnerët e saj rajonalë.

John Jovanovic, drejtor menaxhues për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Egjeut në Korporatën Zhvillimore Financiare (DFC) tha se pjesa kryesore e objektivave të DFC-së në rajon është të zgjerojë mjetet financiare që janë tashmë në dispozicion të Kosovës, në mënyrë që të fuqizojë ekonominë e saj duke mobilizuar më shumë investime private nga tregjet globale të kapitalit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se Oda Amerikane ka mirëpritur marrëveshjen për normalizim ekonomik të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se ajo do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik të Kosovës dhe Serbisë, por edhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar shkëmbimin ekonomik, ofruar mundësi të reja të financimit dhe shfrytëzimit më të mirë të resurseve të përbashkëta natyrore.

x