Kosova dhe SHBA së shpejti nënshkruajnë marrëveshjen për sigurinë e informacionit

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka paralajmëruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të sigurimit të informacionit.
Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se qëllimi i kësaj marrëveshje është që të rritet siguria e informacionit.
Mehaj gjithashtu ka deklaruar se integriteti dhe disponueshmëria e të dhënave është sistemi i synuar në mbështetje nga Administrata e Sigurisë së Teknologjisë së Mbrojtjes e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Postimi i plotë:
Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, kemi filluar fazën përgatitore për Marrëveshjen e Përgjithshme të Sigurisë së Informacionit (GSOIA) ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës në të ardhmen e afërt.
Siguria e teknologjisë sonë të mbrojtjes si dhe mbrojtja e balancuar e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së të dhënave, është sistemi i synuar në mbështetje nga Administrata e Sigurisë së Teknologjisë së Mbrojtjes e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Vazhdojmë së bashku me miqtë tanë amerikan drejtë finalizimit të kësaj marrëveshje.