Kosova po shqyrton mundësinë e vaksinimit kundër COVID-19 të fëmijëve 12 deri 15 vjeç

12.08.2021 17:13

Kosova po shqyrton mundësinë e vaksinimit kundër COVID-19 të fëmijëve 12 deri 15 vjeç

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka thënë sot para mediave se Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë po shqyrton mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga 12 deri në 15 vjeç.

Me këtë rast, Ramadani ka thënë se vaksinimi është shumë i rëndësishëm në mbajtjen në kontroll të situatës epidemiologjike.

“Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin për moshat mbi 18 vjeç dhe mundësinë që tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke e shqyrtuar, mundësinë e vaksinimit të moshave 12 dhe 15 vjeç me prioritet sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë ai.

 

Ramadani është shprehur se për shkak të natyrës së varianti Delta, mosha e të infektuarve me koronavirus së fundmi ka zbritur në 10 deri në 19 vjeç.

“Grupmosha më e prekur ka qenë 30-39 vjeç kurse javët e fundit kemi vërejtur ndryshim të strukturës moshore për shkak të vetë natyrës së variantit Delta që zbret në moshat 10 dhe 19 dhe 20-29. 1 e 5 e të gjithë të infektuarve bie në moshë 10 deri në 29 vjeç”, ka shtuar ai.

Ramadani ka thënë se deri tani në vend janë identifikuar mbi 112 mijë raste të infektuara me COVID-19, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga virusi.

x