Krasniqi: Nëse Kurti e ka sinqerisht çka po thotë për ish-liderët e UÇK-së në Hagë, le t’ua përmend emrat

22.03.2022 12:20

Krasniqi: Nëse Kurti e ka sinqerisht çka po thotë për ish-liderët e UÇK-së në Hagë, le t’ua përmend emrat

Prej “Shko Hashim”, kur i bënte thirrje që të shkojë në Hagë, kryeministri Albin Kurti tash po thotë se është e pabesueshme që në burg të ketë politikanë që luftuan për liri.

Kurti veç gjatë muajit mars ka thënë dy herë, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” dhe në seancën solemne për 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, se në Hagë ka bashkëluftëtarë të Adem dhe Hamëz Jasharit që po mbahen padrejtësisht në burg pikërisht për luftën çlirimtare të UÇK-së.

Për këtë ndryshim të diskursit të Albin Kurtit, opozitari Memli Krasniqi thotë se është e turpshme që i është dashur një vit e gjysmë të flasë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Realisht është e turpshme për vet kryeministrin Albin Kurti që i është dashur një vit e gjysmë që të fillojë dhe të flasë për bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, pa ua përmendur emrat. Ai [Albin Kurti] ende nuk po ua përmend emrat. Ata kanë emra dhe i njeh krejt Kosova – janë liderë të luftës dhe paqes së Kosovës”.

“Tendenca për të thënë ndonjë fjalë tash, edhe pse është e vonshme, është e mirëseardhur. Ai sot ka hyrë në realitetin e qytetarëve të Kosovës, sepse atë që po e thotë ai qytetarët e Kosovës e kanë menduar që nga dita e parë. Çështja e tyre nuk duhet të politizohet. Janë në Hagë për të mbrojtur të vërtetën e qytetarëve të Kosovës dhe luftën tonë për çlirim dhe për këtë arsye meritojnë mbështetjen pa i penguar”.

Lideri i PDK-së deklaroi se nëse shefi i qeverisë kosovare e mendon vërtet këtë që po e thotë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë duhet t’ua përmendë edhe emrat, njofton Klankosova.tv.

“Nëse Albin Kurti e ka të sinqertë këtë që po e thotë tash besoj që nuk prish punë me ua përmend emrat. Vërtet janë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit të gjithë, edhe janë themelues të UÇK-së dhe udhëheqësit e luftës dhe paqes. Nuk turpërohet, por përkundrazi e nderon veten nëse ua përmend emrat”.

x