Kryeministri Rama: Heqja e kufirit mes nesh alarmon më shumë Brukselin se sa Beogradin

27.09.2021 18:54

Kryeministri Rama: Heqja e kufirit mes nesh alarmon më shumë Brukselin se sa Beogradin

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës njëditore në Kosovë ka zhvilluar sot edhe një takim me studentët në Prishtinë, ku ka folur për situatën e tensionuar në veri, marrëveshjet mes dy qeverive, heqjen e vizave dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se heqja e kufirit më shumë alarmon Brukselin dhe Uashingtonin, sesa Beogradin.

“Gjëja e parë është kufiri, dhe me vullnet mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga radhët e gjata, kontrollet e dyfishta. Ose mund të kthehet në një kufi formal pa ndikim të madh ne jetën e qytetarëve siç është në BE, duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirisë së lëvizjes si një BE. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos e realizojnë këtë. Në vite ka pas herë pas here autoritet që kanë thënë do heqim kufirin, dhe asnjëherë nuk u bë, pse , se nuk donin jo, donin, por sepse në momentin që thua shqip do heq kufirin, kjo alarmon gjithë dynjanë, dhe nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin. Unë nuk jam pagëzuesi i mini-Shëngenit, që s’më pëlqen as si emër, por është e njëjta si nisma si Ballkanit të Hapur, insistimi ka qenë të lëvizja e lirë e njerëzve, tani për Serbinë kjo do të thoshte heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tani o të katërta o asnjëra, derisa u gjet kjo dakordësi”, tha Rama.

Kryeministri Rama i pyetur për situatën në veri, që u tensionua për çështjen e targave, tha se Kosova ka plotësisht të drejtë.

Rama tha se ata që flasin për kërcënime të serbëve atje, shohin luftëra të kota nga Facebook, e që në fakt popullsia serbe në Kosovë është ndër më të përkëdhelurit.

“Serbia pretendon se po kërcënohen serbët e Kosovës, ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga asgjë, por janë pakicat kombëtare ndër më të përkëdhelurat, kjo e bën Kosovën shembull. S’e kuptoj dot se si mund t’u paguhen dhe faturat e dritave. Fakti është që ata nuk kërcënohen. Ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes. Ato manovra teatrale me helikopterë e avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb se mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit, apo mund të sugjestionojnë dhe njerëzit këtu apo në botën shqiptare që shikojnë nga Facebook vetëm luftë. Kosova e ka fituar luftën, kur ju që jeni këtu, nuk kishit lindur akoma, apo nuk kishit lindur. Çuarja e forcave speciale në momentin e parë për t’u siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyeshme, diçka lënduese për njerëzit, nuk më duket se është një shpallje lufte apo provokim”, tha Rama.

Ai ndërkaq konsideron se mbajtja e forcave speciale të Kosovës në veri për një kohë të gjatë do të ishte bumerang, siç ndodhi me tarifën.

“Forcat Speciale mund të zëvendësohen me forcat në tryezë. Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare. Këtë bashkësi ndërkombëtare dhe këta miq dhe aleatë të mëdhenj ne duhet t’i mbajmë shumë afër dhe nuk duhet t’u japim shkak që të ftohen, që të zhgënjehen dhe që të lodhen, siç ndodhi me historinë e tarifës kur Kosova humbi shumë reputacion. Politika e jashtme nuk mund të bëhet për politikë të brendshme dhe anasjelltas. Ngatërrimi i këtyre gjërave ka ndodhur”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me studentët theksoi se BE udhëhiqet nga interesa lokale dhe nga sondazhe. Sipas tij kosovarët nuk lëvizin lirisht në vendet evropiane sepse BE nuk mban fjalën.

Duke folur për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kryeministrit Rama tha se për të zgjidhur këto çështje duhet të përdoret fuqia e diplomacisë.

“Kontrasti është i madh, serbët në Kosovë kanë liri dhe të drejta që çdo pakicë kombëtare do të ëndërronte t’i kishte. Ne duhet të përdorim fuqinë e diplomacisë”, u shpreh ai.

Rama u pyet në lidhje me faktin se në qeverinë e kaluar kishte dy ministra kosovarë Gent Cakajn dhe Besa Shahinin, ndërsa këtë vit asnjë.

“Çfarë shkoi keq”, u pyet Rama nga studentët.

Rama tha me shaka se këtë vit ka vendosur që të bëhet kosovar vetë.

“Mandatin e tretë do të bëhem kosovar vetë. Mos e merrni me të qeshura se po e vendosa një gjë unë e bëj. Po s’do vij të bëj fushatë këtu për të marrë vota të mos ketë merak njeri as nuk do vij të votoj”, tha Rama.

x