Kryepeshkopi i Manastirit të Deçanit: Jemi për ndërtimin e rrugës për në Plavë bazuar në ligjet e Kosovës

16.08.2020 14:29

Kryepeshkopi i Manastirit të Deçanit: Jemi për ndërtimin e rrugës për në Plavë bazuar në ligjet e Kosovës

Kryepeshkopi i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, po thotë se është pro ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë, bazuar në ligjet e Kosovës.

Janjiq ka thënë se Ligji për Zonën e Mbrojtur Speciale është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ky ligj qartë saktëson se cilat aktivitete brenda zonës janë të lejuara dhe cilat nuk janë.

“Nuk e kam as qëllimin më të vogël t’u përgjigjem “fjalëve të rrugës” dhe vetëm do të kisha vënë re që disa njerëz qartazi nuk i lexojnë ligjet e veta. Ligji për Zonën e Mbrojtur Speciale është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ky ligj qartë saktëson se cilat aktivitete brenda zonës janë të lejuara dhe cilat nuk janë. (Aty saktësohet) çfarë është e ndaluar pa ndonjë mundësi diskutimi dhe çfarë mund të diskutohet. Rrugët transite (sidomos rrugët ndërkombëtare) që kalojnë nëpër zona rurale, me fjalë të tjera, zona të pabanuara (dhe zona e Deçanit është për më tepër pjesë e Parkut Kombëtar) janë të ndaluara”, ka shkruar Janjiq në Facebook.

Ai shton se edhe nëse Manastiri do ta përkrahte ndërtimin e një rruge transiti nëpër Zonën e Mbrojtur Speciale, ky do të ishte një veprim ilegal sipas legjislacionit të Kosovës.

“Mbi të gjitha, ne kurrë nuk kemi qenë kundër rrugës Deçan – Plavë (Mal i Zi). Problem gjithmonë ka qenë ndërtimi i një rruge të tillë nëpër Zonën e Mbrojtur Speciale, që është veprim i ndaluar sipas ligjit dhe analizave ligjore të misioneve të BE-së dhe OSBE-së në Kosovë. Thjesht, kjo çështje nuk mund të diskutohet, nëse ne pajtohemi që ta respektojmë sundimin e ligjit”, ka shkruar Janjiq.

“Vendimi i qartë për këtë është arritur në Këshillin për Monitorim të Zbatimit për zonat në Prishtinë dhe Komuna dështoi për ta zbatuar atë. Këshilli si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë e sugjeruan ndërtimin e një rruge anësore, përreth Zonës së Mbrojtur Speciale, si zgjidhje e vetme për këtë problem. Ndërtimi i rrugës anësore filloi në vitin 2014 dhe u inaugurua nga Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi. Më vonë, ky ndërtim u pezullua për arsye të panjohura”, ka shkruar ai.

Janjiq thotë se analiza ligjore e Misionit të BE-së për rrugën në Zonën e Mbrojtur Speciale të Deçanit, në vitin 2018 ka arritur në tri përfundime.

“1. Ligji për Zonën e Mbrojtur Speciale ofron mbrojtje speciale për, ndër të tjera, Zonën e Mbrojtur Speciale për Manastirin e Deçanit. Të gjitha aktivitetet brenda zonës duhet të jenë të planifikuara që të mos i shkaktohet ndonjë dëm mjedisit historik, kulturor dhe estetik të Zonës së Mbrojtur Speciale dhe mjedisit natyror”

“2. Punimet e tanishme të ndërtimit dhe rezultati i synuar i rritjes së 40-fishtë të trafikut dhe zhurmës do të ketë një efekt të pashmangshëm dhe të përhershëm ndaj ruajtjes së Zonës së Mbrojtur Speciale, mjedisit të saj estetik dhe mjedisit natyror. Ky veprim do ta dëmtojë tutje mënyrën e jetesës së klerit në manastir. Kjo shkel nenet 1 dhe 3 të Ligjit për Zonën e Mbrojtur Speciale”

“3. Punimet e planifikuara të ndërtimit mund të kategorizohen si aktivitet i ndaluar sipas Ligjit për Zonën e Mbrojtur Speciale, për shkak se, si pikë e parë, ato formojnë aktivitet të ri në rrugë, që si rezultat përfundimtar do ta ndryshojnë karakterin rural të rrugës në funksion të një rruge ndërshtetërore (duke përfshirë një shkallë të lartë të transportit transit të mallrave dhe njerëzve për shkak të rritjes së 40-fishtë të trafikut dhe mungesës së ndonjë rruge tjetër) dhe si pikë e dytë, përgjegjësia kryesore për fillimin dhe zhvillimin e punimeve bie mbi autoritetin qendror, që është Ministria e Infrastrukturës. Kjo shkel Nenin 5 të Ligjit për Zonën e Mbrojtur Speciale”, ka transmetuar Janjiq.

x