Kurti e Osmani bëjnë bashkë homazhe tek varri i Rugovës

21.01.2021 09:45

Kurti e Osmani bëjnë bashkë homazhe tek varri i Rugovës

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurt ka bërë sot homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Bashkë me të ka qenë edhe u.d e presidentit, Vjosa Osmani, e cila do të garojë në një listë të përbashkët me VV-në.

Osmani me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Rugova ishte njeriu që mësoi se çfarë është liria e si duhet kërkuar ajo.

“Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë.  Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit”, ka shkruar ajo.

 Postimi i plotë i Vjosa Osmanit në Facebook:

Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga ne, e rikujtojmë presidentin Rugova, njeriun i cili na mësoi se çfarë është liria, se si duhet kërkuar ajo e si duhet ngulur këmbë për të, deri në arritjen e plotë të saj. Ai na mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to.

Duke na mësuar se si ta duam lirinë, ai na e dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen, ideologjinë, dhe ta krijojmë solidaritetin e papërsëritshëm ndërmjet nesh. Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë.

Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit.

I përjetshëm kujtimi për të.

x