Kurti e takon një zyrtar: I lavdërohet për “rritjen ekonomike” e menaxhimin e pandemisë

01.02.2022 18:29

Kurti e takon një zyrtar: I lavdërohet për “rritjen ekonomike” e menaxhimin e pandemisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim Presidentin e Rotary International, Shekhar Mehta.

 
Gjatë takimit kryeministri Kurti e informoi për reformat e filluara në drejtësi, luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe rritjen ekonomike, që sipas Bankës Qendrore të Kosovës është 9.9 për qind.

Ai veçoi rritjen e të hyrave doganore për mbi 1/3 si dhe rritjen e të hyrave tatimore për mbi 1/4, krahasuar me vitin paraprak.

Lidhur me situatën e përballjes me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi administrimin e rreth 1.6 milion vaksinave dhe vaksinimin e rreth 60 për qind të popullsisë të moshës mbi 16 vjeçare me dy doza të vaksinës, ndërsa vazhdon vaksinimi edhe me dozën e tretë përforcuese.

Kryetari i Rotary International, e falënderoi kryeministrin për pritjen, si dhe konfirmoi përkrahjen e mëtutjeshme të Rotary për projektet në Kosovë.

Mehta foli për mbarëvajtjen e aktiviteteve në vendin tonë, ku kjo organizatë ka prezencë tash e 30 vite.

Ai shprehu gatishmëri për mbështetje dhe ndihmë në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, qoftë me infrastrukturë apo ngritje të kapaciteteve.

Në takimin e përbashkët, morën pjesë edhe Katerina Kostali Papadimitrou, Drejtore e zonës 21&22 të Rotary International, Radu Popescu, President përfaqësues për Kosovë dhe Shqipëri, Fleta Baraku, Kryetare e Këshillit Rotary në Kosovë, Ardian Hoxha, anëtar themelues i Rotary Club Prishtina si dhe Veton Qipa, anëtar i Këshillit Rotarian në Kosovë. 

x