Kushtëzimi që familjet për të përfituar nga skemat sociale duhet të kenë fëmijë nën 5 vjeç, konsiderohet diskriminues

05.12.2021 22:12

Kushtëzimi që familjet për të përfituar nga skemat sociale duhet të kenë fëmijë nën 5 vjeç, konsiderohet diskriminues

Bazuar në Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale, përfitues janë familjet me një anëtar të aftë për punë dhe me të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeç. Kjo pjesë e ligjit po vlerësohet se diskriminon shumë familje.

 
Tahir Mehmeti me bashkëshorten dhe tre fëmijë jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Ai shprehu vullnetin të punojë por e ka të pamundur për shkak të problemeve shëndetësore.

“Unë po të kisha pasur mundësi do të punoja, por mundësitë janë të tilla që s’mund të punoj pasi jam i sëmurë prej zemre. Nga ana tjetër unë fëmijët i kam të moshës mbi 5-vjeçare”, deklaroi për RTV Dukagjinin Tahir Mehmeti.

Nëse nuk do të kishte problem shëndetësore Mehmeti nuk do të përfitonte as ndihmën prej 140 euro.

Në Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale, përfitues janë familjet me një anëtar të aftë për punë dhe me të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë thonë se ky kriter është diskriminues.

Drejtori Vehbi Mujku thotë se tashmë ky ligj është në fazën e ndryshimeve.

“Ne kemi menduar se duhet të eliminohet kriteri i moshës pesë vjeçare dhe të gjitha të dhënat në të ardhmen të bazohen në varfëri, pavarësisht strukturës së familjes. Bazuar në legjislacionin në fuqi një familje nuk lejohet që të ketë më shumë se dy punëkërkues. Përkundrazi, ne mendojmë se nëse një familje ka më shumë se një punëkërkues aty gjendja është shumë e vështirë sepse ne nuk mund t’i ofrojmë një punë dhe njëkohësisht po e eliminojmë nga ndihma sociale”, deklaroi Vehbi Mujku.

Se ky ligj do të ndryshojë është shprehur edhe ministri i Financave Hekuran Murati, por nga Ministria e Financave nuk kanë treguar se në cilën fazë është ky ligj apo se sa familje përfitojnë nëse hiqen kufizimet e tilla.

x