Mbrojtja e Salih Mustafës dhe mbrojtësja e viktimave kërkojnë që gjykimi të nisë pas pushimeve verore

09.06.2021 11:56

Mbrojtja e Salih Mustafës dhe mbrojtësja e viktimave kërkojnë që gjykimi të nisë pas pushimeve verore

Mbrojtësi i Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone, ka kërkuar që gjykimi ndaj klientit të tij të fillojë pas pushimeve verore e jo në muajin korrik siç u propozua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Nuk duam të fillojmë në datën e propozuar nga prokuroria, por pas pushimit të verës dhe do të ishte mirë për gjykimin nëse do të kishim një proces të vijueshëm, në vend së të kemi një fragment e pastaj të fillojmë sërish. Nuk besoj se 12 korriku është data realiste”, tha avokati.

Ai shtoi se deklarata hapëse që do të bëjnë do të jetë goxha e gjatë, por siç tha, ekziston mundësia që edhe i akuzuari vet ta bëj një deklaratë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e ndjek prokurorinë që duan të kenë deklaratën hapëse, e pastaj të vijohet me dëshmitarët, kjo është e kuptueshme nga ana e tyre, por s’jemi dakord me afatin kohor, njoftimi është i shkurtër dhe kemi planifikuar disa misione dhe do të na ndërlikohet puna nëse duhet të ndërpresim”, tha avokati Von Bone.

Siç transmeton “Betimi për Drejtësi” edhe mbrojtësja e viktimave Anni Pues tha se më mirë do të ishte që gjykimi të fillojë pas pushimit të verës.

“Viktimat duan të bëhet drejtësia, kanë pritur 22 vjet, mirë është të fillohet në këtë çështje me një përgatitje sa më të mirë. Kjo është në interes të të gjithëve dhe në interes të drejtësisë.”, tha Pues.

Ajo shtoi se për të është e rëndësishme që të shkoj në mision, por tha se nuk varet vetëm nga ajo sepse si tha, nuk mund të prenetoj dhe të shkoj, por duhet të bëhen organizime të ndërlikuara pasi është një makineri e tërë në sfond që duhet të vihet në punë.

“Duhet të jem në gjendje të përfaqësoj tërësisht dhe në mënyrë të gjithanshme dhe kam një grup njerëzisht që duhet të përfaqësoj dhe që unë të mund të bëj një deklaratë hyrëse sa më të plotë duhet të kem kohë për tu përgatitur dhe avantazhi i fillimit pas pushimit të verës është që në atë mënyrë të gjithë do të jemi të përgatitur dhe mund të fillojmë me procedurën siç duhet.”, deklaroi mbrojtësja e viktimave.

Nëse trupi gjykues vendos të fillojë gjykimi në korrik, Pues tha se do të përmbush ato afate megjithëse shtoi  se ka shumë të panjohura ende.

Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që gjykimi ndaj Salih Mustafës të fillojë në muajin korrik të këtij viti.

Ai tha se e kanë dhënë datën 12 korrik 2021, si datë kur mund të jepen fjalët hyrëse të prokurorisë dhe pastaj të vazhdohet me marrjen e dëshmive nga data 15 korrik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria planifikon të marrë në pyetje dy dëshmitarë të saj para se të filloj pushimi veror i gjykatës, të tjerët do të bëhen pas pushimit dhe në shtator.”, tha përfaqësuesi i ZPS-së në konferencës përgatitore që është duke u mbajtur në Hagë.

Nëse gjykata vendos që marrja e dëshmitarëve të filloj në shtator, atëherë nga ZPS kërkuan që deklarata hyrëse dhe dëshmitarët e prokurorisë të fillojnë nga shtatori.

“Atëherë fillojmë në shtator nuk dëshirojmë t’i ndajmë argumentet hyrëse nga provat dhe dëshmitarët”, tha përfaqësuesi i ZPS-së.

x