Milan-Napoli, supersfida e së dielës në Serie A!

14.03.2021 10:31

Milan-Napoli, supersfida e së dielës në Serie A!

Kryendeshja e javës së 27 në kampionatin italian është sfida Milan–Napoli dhe drejtuesit e Serisë A kanë rezervuar pikërisht orarin më të mirë për takimin përmbyllës të javës.

Një duel tepër i rëndësishëm për të dy ekipet dhe një ndeshje që ka fituar goxha terren, në këto vitet e fundit në futbollin italian. Trajneri Gennaro Gattuso ka kaluar plot 13 sezone me kuqezinjtë, por tani 43-vjecari kalabrez zbret në Stadiumin Giuseppe Meazza bashkë me skuadrën e tij, me synime të qarta për të tentuar ngjitjen e shkallëve në tabelën e klasifikimit.

Klubi nga Campania tani po provon të ringrihet dhe 7 pikët e grumbulluara në 3 sfidat e fundit në kampionat kanë rikthyer optimizmin në gjirin e skuadrës napolitane. Progresi dhe ecuria e mirë e ekipit të Gatuzos kanë ndërlikuar llogaritë dhe kanë prishur planet e shumë skuadrave, përsa i përket Zonës Champions. 2/3 e këtij edicioni në kampionatin italian janë mbyllur dhe në këtë fazë të fundit cdo rezultat pritet të influencojë ndjeshëm në klasifikimin e përgjithshëm.

Mbi të gjitha Zona Champions do të përcaktohet pikërisht nga ndeshjet direkte dhe sfida Milan–Napoli natyrisht që konsiderohet si një e tillë. Në një kohë kur ekipi “azzurr” po kompletohet, duke i patur pothuajse të gjithë futbollistët në dispozicion në krahun tjetër kuqezinjtë vazhdojnë të kenë probleme të shumta. Infermieria është plot dhe ngjeshja e kalendarit ka shtuar ndjeshëm gjithashtu edhe problemet fizike. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të madhe në Old Trafford dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli luajti shumë herë më mirë se sa ekipi vendas. United nuk kishte problemet e Milanit, e megjithatë kuqezinjtë zbritën në Teatrin e Ëndërrave plot besim, duke e mbyllur në portë për një kohë të gjatë ekipin e Solskajer-it. Të enjten në mbrëmje vendasit shpërdoruan mundësi shumë të mira me anë të futbollistëve si Harry Maguire dhe Daniel James por gjithsesi ekipit të Milanit iu anulua në mënyrë vërtet të habitshme një gol që u duk krejtësisht i rregullt, i shënuar nga ana e mesfushorit Franck Kessie pa u mbushur as cerek ore lojë. Diferenca me Interin tani ka marrë përmasa të tjera dhe rezultati 1-1 i siguruar në ishull ka shtuar patjetër oreksin e futbollistëve dhe drejtuesve të klubit kuqezi.

Natyrisht kohë për të bërë llogari dhe për të ruajtur skuadrën nuk ka, sepse ashtu si edhe në mesjavë trajneri Pioli nuk do të ketë me radhë emra të tillë si Zlatan Ibrahimovic, Alessio Romagnoli, Ismael Bennacer, Ante Rebic, Mario Mandzukic, apo Daniele Maldini, ndërsa dyshja Theo Hernandez–Hakan Calhanoglu vijon të mbetet në dyshim. Të kaltërit do të bëjnë cmos për të dalë me 3 pikët nga Stadiumi San Siro, pa harruar edhe faktin që miqtë kanë gjithashtu për të rekuperuar edhe takimin me Juventusin. Për fatin e tyre të mirë sfida me kampionët në fuqi nuk do të zhvillohet mesjavën e ardhshme, kështuqë trajneri kalabrez mund t’i përqëndrojë të gjitha forcat pikërisht në sfidën me Milanin.

Kështuqë me një përllogaritje të thjeshtë në rast se klubi nga Campania ia del mbanë për të fituar këto dy takime diferenca ndërmjet Napolit dhe kuqezinjve do të reduktohej në thjesht 3 pikë. Napoli ka barazuar në tre vizitat e fundit në fushën e Milanit, në ndeshjet e vlefshme për kampionatin italian. Pra nuk bëhet fjalë për një skenar të pamundur, duke marrë në konsideratë edhe dy fitoret radhazi të të kaltërve në vitet 2015 e 2017, që konfirmojnë se kuqezinjtë kanë dështuar për të mposhtur në shtëpi ekipin napolitan. Takimi Milan–Napoli do të luhet në mbrëmje në kryeqendrën lombarde në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga kryesori Fabrizio Pasqua.

x