Ministria e Shëndetësisë së shpejti me masa të reja antiCOVID

19.01.2022 15:34

Ministria e Shëndetësisë së shpejti me masa të reja antiCOVID

Kosova sot ka shënuar një nga ditët me më së shumti raste të të prekurve me virusin COVID-19.

Në njoftimin 24 orësh të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë e ditur se janë konfirmuar 2 mijë e 50 raste të reja.

E bazuar në situatën e krijuar epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt pritet të dalë me masa të reja kufizuese për qytetarët.

Kjo është bërë e ditur nga Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministri është në konsulta të vazhdueshme me ekspertët shëndetësorë dhe duke përcjellë situatën epidemiologjike, bazuar në rekomandimet e të cilëve, së shpejti do të dalim me masa të reja”, konfirmoi ai për lajmi.net.

Ndryshe Ministria e Shëndetësisë në bazë të të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka theksuar se së fundi janë kryer 9 mijë e 194 testime.

Tani për tani në gjithë vendin janë 7 mijë e 266 raste aktive.

Nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Kosovë pati disa herë radhazi ndryshim të masave antiCOVID.

Në të shumtën e rasteve qytetarët u përballen edhe me orë policore.

Tani për tani nuk dihet se cili do të jetë ndryshimi kyç i masave të reja.

Duhet përkujtuar që tani për tani ora policore në vend është në funksion nga 00:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

Por muaj më parë qytetarët e kishin tërësisht të ndaluar lëvizjen që nga ora 21:00.

Kundër këtyre vendimeve të MSh-së më të zëshëm ishin drejtusit e lokaleve në qytetet e shumta të vendit.

Përfaqësuesit e gastronomisë ishin ndër të vetmit që mbajtën edhe protesta, duke kërkuar në të shumtën e herave lehtësim të masave antiCOVID.

x