Ministrja gjermane: Angazhim për nisjen sa më shpejt të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë

18.01.2022 11:30

Ministrja gjermane: Angazhim për nisjen sa më shpejt të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë

Ministrja e Gjermanisë për Evropën, Anna Luhrmann, gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri ka dhënë një mesazh të qartë për qeverinë dhe opozitën. Në një deklaratë për mediat pas takimit me zëvendës kryeministrin, Arben Ahmetaj, Luhrmann tha se reformat në vend kanë ecur përpara dhe nuk duhet bërë asnjë hap pas, as nga qeveria dhe as nga opozita.

“Në kuadër të marrëdhënieve diplomatike, ne punojmë dhe bashkëpunojmë në të mirë të njerëzve në shumë sektor. Bashkëpunojmë shumë dhe me njerëz të shoqërisë civile. Ne gëzohemi që mund të mbështetemi tek Shqipëria si një partner i besueshëm. Janë ngritur struktura për një përballje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Zyrtarë të lartë janë dënuar, Vettingu është duke dhënë rezultate të mira. Këtu janë të nevojshme si qeveria ashtu dhe opozita, hapat pas do ta dëmtonin qartësisht procesin e reformave”, u shpreh ministrja.

Po ashtu ajo tha se integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE është një vendim strategjik dhe qeveria gjermane e mbështet pa kushte.

“Dëshiroj që të bëj të qartë që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, si dhe perspektiva e Bashkimit Evropian, për mua personalisht dhe për qeverinë federale  është me një rëndësi strategjike. Qeveria Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe kjo nuk është vetëm në interes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut por edhe në interesin e vetë BE-së dhe është e rëndësishme për stabilitetin në rajon”, tha ministrja.

Ajo theksoi se nismat rajonale duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe shtoi se për të jetësuar bashkëpunimin iniciuan Procesin e Berlinit.

“Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, ndaj në vitin 2014 qeveria federale solli në jetë Procesin e Berlinit. Rajoni mbetet një prioritet dhe për qeverinë e re federale, ne përshëndesim angazhimin rajonal mes kryetarëve të shteteve dhe e kuptojmë dëshirën e tyre për të bërë para në këtë proces. Por rruga e ndjekur duhet të ketë një bashkëpunim me të 6 vendet dhe procesi duhet të jetë gjithë përfshirës dhe i hapur për të gjithë”, u shpreh Luhrmann.

Në fund komunikoi dhe mesazhin e Kancelarit gjerman se do të jenë në krah të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka shprehur keqardhjen për vonesën e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Numri 2 i qeverisë këto komente i bëri gjatë konferencës për shtyp me ministren gjermane për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, e cila zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë ditën e sotme.

“Ndava me ministren atë ndjesi dhe shqetësimin që ka qeveria shqiptare për vonesën formale të hapjes së negociatave me Shqipërinë. I shpreha keqardhjen ministres se tashmë ne i kemi bërë të gjitha detyra e shtëpisë. Sot nuk ka asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian që të ngrejë një problematikë me Shqipërinë, e cila ta pengojë hapjen formale të negociatave, e megjithatë megjithëse Komisioni ka 3 vite rresht që konfirmon se Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, akoma besoj në 6 muajt e ardhshëm shpresojmë që të kemi hapjen formale të negociatave.

E gjithë qeveria dhe administrata shqiptare konfirmon që jemi gati të kapim kohën e duhur menjëherë sa të kemi hapjen formale të negociatave. I kërkova ministres që Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si vakum për mundësi të lojërave të aktorëve të tjerë.

Hapja formale e negociatave jep një sinjal shumë të fortë për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i negociatave është reforma të thella sektoriale, pra në çdo sektor të jetës së vendit. Këto dy elementë e bëjnë integrimin europian strategjik për Shqipërinë”, u shpreh zv/Kryeministri Ahmetaj./tvklan

x