​Miratohet në parim Projektligji për Gjykatën Komerciale

06.07.2021 15:47

​Miratohet në parim Projektligji për Gjykatën Komerciale

Komisioni për legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Nevoja për themelimin e saj u konsiderua e domosdoshme nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehu mëdyshje për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit.

 
Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi tha se miratimi i këtij projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Themelimi i një Gjykate të veçantë komerciale, e cila do të ketë për mandat dhe fushëveprimtari vetëm çështjet komerciale me gjyqtarë të përgatitur mirë dhe mbështetje institucionale dhe buxhetore do t’i shërbej zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe trajtimit efikas të kontesteve të caktuara komerciale”, tha ai.

Përkrahje ndaj këtij projektligji shprehu edhe Hajdar Beqa nga PDK, por tha se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Kjo nismë ka qenë në kohën kur ministër ka qenë Abelard Tahiri i PDK-së dhe shihet se ky draft është drafti që ka qenë në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka asnjë ndryshim, asnjë pikë dhe presje. Mua më vjen mirë që Vetëvendosje në mungesë të propozimeve të saj po bëhet avokate e nismave të partive tjera, këtë rast të PDK-së”, theksoi Beqa.

Duke ironizuar me këtë deklarim të deputetit të PDK-së, Rrustemi i LVV-së tha se po i pëlqen strategjia e partisë më të madhe opozitare për t’i mbështet nismat ligjore të Qeverisë Kurti.

“Po më pëlqen shumë kjo strategjia e PDK-së për t’i mbështet nismave duke tentuar me thënë që i kishte gati PDK-ja, por si bëri për pak dhe tash po i bënë Qeveria e Vetëvendosje. Ju zotëri Beqaj krejt gati i kishit, por ja që kohën e patët të shkurtër”, shtoi ai.

Derisa e përkrahu miratimin në parim të këtij projektligji, Besnik Tahiri nga AAK tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me këto veprime po përkrah politika të djathta.

“ Në mungesë të këtij ligji shumë investitor të huaj na kanë humbur. Investimet potenciale na kanë humbur për shkak se kontestet administrative janë zgjatë shumë. Andaj konsideroj se me këtë ligj qasja e sektorit privat në drejtësi është më e shpejtë[…]Vetëvendosjes po i ndihmon politikat e djathta në Kosovë, po e ndihmon sektorin privat, këtë temë iu përgëzoj edhe si parti e majtë”, tha ai.

Por, mëdyshje për miratimin e tij shprehu deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Sikur ta shihja me shumë kujdes memorandumin shpjegues dhe intencën e qeverisë ndoshta do të arrija të kuptoja. Por sot e kam problem se ku ta paketojë në sistemin hierarkik institucional të Kosovës këtë gjykatë, sepse edhe nga fushëveperimtaria e cila është e paraparë në ligjin e propozuar nga qeveria, po thuajse është copy-paste e nenit 16 të Ligjit për Gjykata që flet për departamentin për çështje ekonomike, e cila është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Themelore të Prishtinës[…]do të doja më shumë informata të hollësishme dhe të mëdha për ta kuptuar dhe artikuluar votën time dhe subjektit nëse jemi në rregull me kontekstin kushtetues dhe ligjor”, tha ai.

Krahas kësaj, komisioni miratoi në lexim të dytë Projektligjin për për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

x