Moslejimi i boksierëve kosovarë në Serbi, BE: Të gjithëve t’u sigurohet pjesëmarrja në baza të barabarta

25.10.2021 17:34

Moslejimi i boksierëve kosovarë në Serbi, BE: Të gjithëve t’u sigurohet pjesëmarrja në baza të barabarta

Bashkimi Europian në një përgjigje për lajmi.net ka dhënë opinionin e vet lidhur ndalimin që qeveria e Serbisë ua bëri sportistëve nga Kosova për të hyrë në territorin e tyre, duke ua pamundësuar kështu pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Boksit atje.

 
Në përgjigjen e Bashkimit Europian për lajmi.net thuhet se BE e mbështet qëndrimin e Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA) që t’i sigurohet pjesëmarrja Kosovës në baza të barabarta si çdo shteti tjetër që është anëtar i AIBA-s, shkruan lajmi.net.

“BE-ja mbështet plotësisht Shoqatën Ndërkombëtare të Boksit në pritjet e saj që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga asnjë delegacion i çdo anëtari të Asociacionit dhe t’i mundësojë Kosovës pjesëmarrje në baza të barabarta.”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Europian për lajmi.net.

Më tutje, nga BE thonë se një normalizim afatgjatë i marrëdhënieve dhe një pajtim i qëndrueshëm bëhet duke pasur ndërveprime intelektuale, kulturore, sportive e artistike.

“Siç kemi thënë shumë herë në të kaluarën, një normalizim afatgjatë i marrëdhënieve dhe një pajtim i qëndrueshëm midis shoqërive fillon me ndërveprime intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Këto ndërveprime janë esenciale për të ndërtuar mirëkuptim të ndërsjelltë.”, thonë nga BE.

Gjithashtu, ata thonë se autoritetet e të gjitha niveleve duhet të vazhdojnë përpjekjet për sigurimin e ndërveprimeve të tilla – që duhet të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa.

“Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet të kursejnë asnjë përpjekje për të siguruar që shkëmbime të tilla të zhvillohen rregullisht, pa shqetësime dhe pa asnjë pengesë.”, thonë nga Bashkimi Europian për lajmi.net.

Në anën tjetër, delegacioni i Federatës të Boksit të Kosovës ka tentuar tre herë me radhë të futet në Serbi në mënyrë që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit dhe kjo nuk iu është lejuar. Madje, ky delegacion ka provuar të hyjë në Serbi edhe duke hequr simbolet shtetërore të Kosovës, por kjo nuk iu ka kryer punë.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Federata Ndërkombëtare e Boksit të cilët kanë thënë se ishin të bindur se të gjitha sportistët do të trajtoheshin si të barabartë në këtë turne të boksit, duke thënë se janë në përpjekje për korrigjimin e situatës.

“AIBA synon të sigurojë një shtëpi mikpritëse për çdo boksier dhe bota e boksit nuk ka kufij. Sporti synon të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i pavarur nga politika kombëtare. AIBA është në kontakt me organizatorin e ngjarjeve për Kampionatin Botëror dhe Federatën serbe e boksit, në përpjekje për të korrigjuar situatën.”, thanë nga AIBA.

Reagim ka pasur edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të cilët kanë thënë se refuzimi i Serbisë për t’i lejuar boksierët nga Kosova të marrin pjesë në Kampionatin Botëror ishte shkak i kujdesit të duhur të Federatës Ndërkombëtare (AIBA) kur vendosi që organizimin e turneut t’ia besojë Beogradit.

“Duket se AIBA nuk ka zbatuar kujdesin e nevojshëm para se t’ia besojë këtë turne Beogradit, pavarësisht nga fakti se IOC ka këshilluar vazhdimisht federatat ndërkombëtare për domosdoshmërinë e një kujdesi të tillë të duhur,” tha një zëdhënës i IOC.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme është deklaruar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku. Ai ka thënë se vendimi për moslejimin e sportistëve kosovarë për të hyrë në Serbi është marrë nga direktivat e qeverisë së Serbisë, duke u kthyer në çështje politike.

“Besojmë se ky vendim i organizatorëve të garës botërore në Beograd është marrë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë. Qasja e Serbisë e ka tejkaluar botën e sportit, duke e kthyer atë në një çështje politike”, tha Çeku.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia pengon aktivitetet e sportistëve kosovarë dhe jo vetëm, ndërsa reagimet nga autoritetet ndërkombëtare janë gjithmonë të zbehta lidhur me këto çështje. Megjithatë, turneu i boksit në Beograd ka filluar të mbahet edhe pa praninë e boksierëve nga Kosova.

x