Muriqi mendon rikthimin te Fenerbahce!

04.05.2021 15:58

Muriqi mendon rikthimin te Fenerbahce!

Vetëm 2 gola të realizuar  në 30 ndeshje në total në të gjitha kompeticionet, janë shumë pak për një sulmues si Vedat Muriqi i cili një sezon më parë shkëlqente me fanellën e Fenerbahces duke realizuar 17 gola mes Superligës turke dhe Kupës.

Forma jo e mirë që ka shfaqur bomberi i përfaqësues së Kosovës në këtë sezon të parë të tijin me Lazion mund sjellë edhe largimin e tij nga kryeqyteti italian në fund të këtij sezoni.

Sipas mediave turke Fenerbahce po projekton rikthimin e sulmuesit kosovar në Stamboll dhe është gati t’i propozojë Lazios huazimin e sulmuesit që verën e kaluar ia shiti për 17,5 milionë euro.

Sëfundmi Muriqi ka marrë një telefonatë nga ish-shoku i skuadrës te Fenerbahce Emre Belezoglu i cili është emëruar drejtor sportiv i verdhezinjëve nga Stambolli ndërsa aktualisht është edhe trajner i përkohshëm.

Emre i ka kërkuar ish-sulmuesit të Teutës dhe Besës të riveshë fanellën e Fenerbahces për të synuar titullin kampion sezonin e ardhshëm me verdhezinjtë pasi kampionati i këtij viti po shkon në drejtim të Besiktasit.

Nuk dihet nëse Lazio do ta pranojë kërkesën e Fenerbahces për huazimin e Muriqit por duke patur parasysh ngërçin psikologjik që ka kaluar 27-vjeçari në këtë sezon, Lazio mund tia japë mundësinë për t’u ringritur bomberit kosovar për ta patur në formën më të mirë pas një viti.

x