Nainggolan qëndron në Inter, largohen Joao Mario e Asamoah

05.10.2020 21:30

Nainggolan qëndron në Inter, largohen Joao Mario e Asamoah

Gongu që sinjalizon fundin e merkatos verore (që këtë herë u zhvillua në vjeshtë) ka rënë në orën 20:00 dhe Radja Nainggolan është gati të nisë një aventurë të dytë me fanellën e Interit, pasi nuk është konkretizuar transferimi te Cagliari.

Mesfushori belg ishte në huazim te sardët sezonin e kaluar dhe deri në fund u punua për t’u rikthyer sërish te Cagliari edhe këtë vit, por klubet nuk gjetën dot një marrëveshje dhe tani Nainggolan do të duhet të luajë shanset e tij në organikën e Contes.

Ky i fundit do të ketë një organikë vërtetë të pasur në mesin e fushës, pasi u largua vetëm Borja Valero, ndërkohë që u afrua kileni Arturo Vidal dhe u rikthye Radja Nainggolan, megjithatë tekniku zikaltër kënaqet me faktin që do të ketë alternativa cilësore në dispozicion.


Ndërkohë Interi ka arritur të sistemojë në orët e fundit të merkatos, mesfushorin portugez Joao Mario, i cili ka kaluar në huazim te Sportingu i Lisbonës, skuadër ku luante para se të transferohej te zikaltrit në verën e 2016-ës.


Pas disa aventurash në Europë, portugezi zgjodhi rikthimin në Lisbonë para një oferte nga Torino në Serinë A, ndërsa Interi pranoi huazimi një vjeçar, me Sportingun që ka ruajtur të drejtën për blerjen përfundimtare verën e ardhshme.

Largohet pas dy sezonesh me fanellën zikaltër edhe mbrojtësi i majtë Kwadwo Asamoah. Ganezi kishte edhe një vit kontratë me Interin, por nuk bënte pjesë në planet e Contes dhe zikaltrit e lanë të lirë, duke i paguar gjysmën e pagës së parashikuar, ndërsa tani 32-vjeçari mund të vlerësojë me qetësi të ardhmen, pasi është lojtar i lirë dhe mund të firmosë me një klub në çdo kohë.

x