Natë tmerri për Di Marian, zëvendësohet sepse i kishin grabitur shtëpinë

15.03.2021 16:06

Natë tmerri për Di Marian, zëvendësohet sepse i kishin grabitur shtëpinë

Natë terrori për Angel Di Marian. Teksa ishte duke luajtur në ndeshjen ndaj Nantes, të cilën e nisi si titullar, disa hajdutë i grabitën me dhunë banesën, duke bllokuar për disa minuta brenda edhe familjen e sulmuesit, që ndodhej aty në ato momente.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo u sinjalizua për ngjarjen e rëndë dhe zbriti nga tribuna për të folur me trajnerin Pochettino dhe për t’i kërkuar zëvendësimin e argjentinasit.

Në minutën e 62-të Pochettino i shpjegoi gjithçka Di Marias dhe e largoi nga fusha e lojës për arsye jo futbollistike, teksa argjentinasi u largua menjëherë nga stadiumi “Parc des Princes” për të shkuar në shtëpinë e tij.

Kjo nuk është hera e parë që futbollistët e PSG-së bien pre e grabitjeve të dhunshme, teksa gjithmonë ngjarje të tilla organizohen, kur ata janë të angazhuar në ndeshje. Përveçse në shtëpinë e Di Marias, një bandë grabitësish kishin shkuar edhe në shtëpinë e brazilianit Marquinhos, ndërsa një muaj më parë u grabit edhe shtëpia e Mauro Icardit.

Kryeqytetasit ishin duke fituar 1-0 ndaj Nantes, por më pas pësuan dy gola dhe humbën ndeshjen me rezultatin 1-2, ndërsa në përfundim të ndeshjes trajneri Pochettino pranoi se në këtë situatë është e tepërt të flitet për futboll.

“Ka zhgënjim që kemi humbur tre pikët, por skuadra ishte e shqetësuar për gjëra që ju tani keni marrë dijeni. Nuk është shfajësim, por pati një rënie energjie jo të zakonshme në fushë. Kemi folur me futbollistët pas ndeshjes, por jo për gjëra që lidhen me futbollin, pasi duhen marrë në konsideratë aspektet jashtë fushës së lojës”, deklaroi Pochettino.

x