​Nga viti i ardhëm Shqipëria dhe Kosova me abetare të njëjtë

28.11.2021 20:18

​Nga viti i ardhëm Shqipëria dhe Kosova me abetare të njëjtë

Vitin e ardhshëm me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë do t’u dhurojmë nxënësve të klasave të para si në Shqipëri dhe në Kosovë një abetare të re të përbashkët, të unifikuar për të gjithë nxënësit, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë Evis Kushi në eventin “Një Gjuhë, Një Abetare”.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se një abetare e re e vendosur në këtë kontekst të ri do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të jep një kontribut akoma më të rëndësishëm për edukimin e brezave të rinj.

“Mbi të gjitha, unë kam bindjen se vendimi që morëm para pak ditësh në Këshillin e Ministrave për të pasur jo thjesht një abetare të re, por një abetare unike për të gjithë nxënësit tanë në të gjitha shkollat është vendimi i drejtë dhe vendimi i duhur për të pasur të gjithë një standard të barabartë një standard të barabartë, cilësi, qasje dhe metodologji të barabartë”, tha ajo.

Ministrja Kushi ka bërë të ditur se së bashku me ministren e Arsimit të Kosovës Arbërie Nagavci janë pajtuar për krijimin e një komisioni të përbashkët që do të merret me procedurat për shpalljen e një konkursi të hapur.

“Unë në muajin dhjetor do të jem në Kosovë për të firmosur marrëveshjen, e cila do t’i hapë rrugë vendimit që vitin e ardhshme, për 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ne t’i dhurojmë nxënësve të klasave të para si në Shqipëri dhe në Kosovë një abetare të re të përbashkët të unifikuar për të gjithë nxënësit. E ku ka më bukur një komb, një gjuhë një abetare”., tha në fund, Kushi.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla vlerësoi punën e bërë deri më tani për unifikimin e abetares.

“Kemi bërë progres përpara. Është shumë e rëndësishme për atë çfarë është dakorduar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Ju bëjë me dije se një event i madh dhe shumë i rëndësishëm ka qenë Kuvendi i Albanologjisë me bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovë për të vijuar me bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë jo vetëm komisioni përkatës të arsimit, por gjithë komisionet e tjera që do të bëjnë të mundur të bashkëpunojmë më shumë në të gjitha fushat dy kuvendet dhe vendet tona”, tha Nikolla.

Në fund, Nikolla theksoi se ka ndërmarrë nismën që 22 nëntori Dita e alfabetit të shpallet edhe në Shqipëri ditë kombëtare./Atsh

x