Nuk kisha vënë syzet, Mancini shfajësohet për qëndrimin e Chiellinit në stol!

05.09.2020 10:50

Nuk kisha vënë syzet, Mancini shfajësohet për qëndrimin e Chiellinit në stol!

Pas 11 fitoresh radhazi Italia ndali ecurinë fantastike me barazimin 1-1 ndaj Bosnje Hercegovinës në Ligën A të edicionit të dytë të Nations League. Në konferencën për shtyp ndaj ndeshjes, trajneri i të kaltërve tregoi edhe gabimin që ndodhi me aktivizimin e Giorgio Chiellinit, i cili u detyrua të qëndronte në stol.

“Sigurisht që nuk jemi të lumtur sepse nuk fituam, por ne nuk kishim atë mprehtësinë e duhur para portës. Kishim disa raste, por dhe lodhja bëri të veten. Seria jonë e fitoreve do të mbaronte herët a vonë dhe jam i kënaqur që ndodhi me një barazim dhe jo me humbje. E rëndësishme është të ruajmë këtë ekip, i cili do të ketë disa ndryshime sepse lojtarët mund të luajnë çdo tre ditë”.

“Gabimi me Chiellinin? Ishte faji im. Ata më treguan formacionin zyrtar dhe unë nuk kisha vënë syzet dhe i thashë se ishte ‘OK’. Nuk e vura re se aty ishte Acerbi dhe jo Chiellini. Gjithsesi ne e kishim planifikuar që në një ndeshje të luante Giorgio dhe në një tjetër Acerbi. Unë e pyeta Chiellinin dhe ai më tha se dëshironte të luante sot, por tashmë do të ndodhi e kundërta. Nuk është ndonjë diferencë e madhe, por ishte një gabim nga ana ime”, mbylli Mancini.

x